Adelina ishte vetëm 23-vjeçare kur jeta për të ndërroi rrënjësisht. Ajo u dënua me 28 vjet burgim për një vrasje, detajet dhe motivet e së cilës nuk dëshiron t’i tregojë.
Muzikë, vallëzim, ushqim i posaçëm, telefonata me familjarët, kështu pritet Viti i Ri në Burgun e Lipjanit. Një herë në vit të burgosurat në Qendrën Korrektuese në Lipjan mundohen të harrojnë çdo gjë dhe të argëtohen deri në mëngjes.
Në një rrëfim ekskluzivisht për “Zërin” ato rrëfejnë pritjen e ndërrimit të moteve prapa grilave.
Të privuar nga liria, larg familjes dhe më të dashurve të tyre, larg çdo argëtimi me shoqëri, me vite të tëra janë të mbyllura brenda katër mureve, kjo është jeta e të burgosurave në Burgun e Lipjanit. Dy prej tyre, Adelina dhe Ibadeti, të dënuara për vepra të ndryshme penale kanë pranuar të rrëfejnë për “Zërin” jetën e tyre prapa grilave.
Adelina ishte vetëm 23-vjeçare kur jeta për të ndërroi rrënjësisht. Ajo u dënua me 28 vjet burgim për një vrasje, detajet dhe motivet e së cilës nuk dëshiron t’i tregojë. “Ka 8 vjet që jam këtu. Nuk isha përgjigjur në këtë pyetje për shkak që të mos bëhen spekulime për një kapitull, i cili tashmë është mbyllur”, shprehet ajo shkurt me një ndrojtje se mos do të insistojmë sërish për këtë përgjigje, shkruan Gazeta “Zëri”.
Ajo rrëfen se si pritet festa e Vitit të Ri brenda qelisë. Sipas saj, kjo natë është e veçantë për të dhe për të gjitha vajzat tjera që vuajnë dënimet këtu. Në natën e 31 dhjetorit kur shënohet ndërrimi i moteve të gjitha të dënuarat bashkohen në sallën e rekreacionit për të pritur bashkë natën më të gjatë të vitit. Aty nuk mungon ushqimi i posaçëm, muzika e vallëzimi. Në këtë natë Adelina thotë se mundohet t’i harrojë të gjitha dhe të argëtohet pa fund.
“S’po mund të them se ka diçka të veçantë, por të paktën për një natë mundohemi t’i harrojmë krejt të këqijat dhe të bëhemi bashkë me shoqet tjera të kalojmë një natë sa më të mirë. Të gjitha bëhemi bashkë dhe për tri net radhazi e kalojmë bashkë. Kemi televizorin, radion, DVD-në, lejohet edhe muzika e zhurmshme ato net, kështu që mirë kalojmë”, tregon ajo. Drejtoria e këtij burgu organizon një meny të veçantë për netët e Vitit të Ri.