Lokale - eSIMy

Federata e Basketbollit të Bosnje e Hercegovinës ka reaguar ndaj telasheve me të cilat janë përballur basketbollistët e rinj të Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të të rinjve.

Basketbollistët e rinj të Kosovës patën telashe për t’u pajisur me viza të Bosnjës, por më në fund ata arritën të siguronin ato dhe u bënë pjesë e Kampionatit.

FBBH është ankuar në lidhje me pozitën në të cilën gjendet sporti në Bosnje, pozitë të cilën kjo Federatë e quan “të pakuptimtë dhe të papranueshme” dhe thotë se shteti i ka çuar duart nga ai duke e bërë pozitën më të vështirë dhe më të paarsyeshme.

 

“Askush në të vërtetë nuk dëshiron që në këtë vend të bisedojë seriozisht për këtë problem, për të cilin është pothuajse e pamundshme të gjendet krahasim, jo vetëm në vendet evropiane por edhe më gjerë. E gjithë kjo, e ndoshta edhe më rëndë e më vështirë, zbatohet në basketboll. Basketbolli, që deri para pak kohësh ishte sporti më i organizuar në BeH. Shteti nuk ndihmoi në mënyrë organizative dhe ne ia dolëm që të mbajmë hapin me vendet tjera të zhvilluara në njëfarë mënyre. Mundi dhe përpjekjet tona janë njohur jashtë BeH-së, veçanërisht në FIBA”, thotë kjo Federatë në një komunikatë për media, raporton Koha.net.

Por, FBBH thotë se gjithçka po shkonte për së mbari deri tek Kampionati i fundit Evropian, Divizioni B, për U16.

 

“24 ekipe erdhën në Sarajevë. Me asnjë seleksion nuk pati problem, por Ministria e Punëve të Brendshme, për arsye të pasqaruara refuzoi lëshimin e vizave për fëmijët e reprezentacionit të Kosovës. Duke i refuzuar të gjitha pretendimet si të pabazuara, dëshirojmë të theksojmë se FB e BeH unanimisht kishte marrë vendim në seancën e 2 dhjetorit të vitit 2017 që të aplikojmë për organizimin e këtij kampionati. Por, për arsye që për ne janë të panjohura, ministri i Jashtëm i Bosnjës, Igor Crnadak, nisi të zhvillojë hetime private me qëllimin e vetëm që të mos ua lëshojë vizat. Pas disa intervenimeve nga brenda, por edhe nga institucione ndërkombëtare, më në fund u pajtua dhe reprezentacioni i Kosovës arriti me dy ditë vonesë, dhe vetëm duke iu falënderuar qëndrimit të FIBA-s që të shpëtojë kampionati, reprezentacioni i Kosovës do ta kompensojë kohën e humbur”, thotë më tej njoftimi i FB të BeH-së.

Federata thotë se me gjasë do të gjobiten dhe do të vështirësohet gjendja më shumë se ç’është tani. “Më e keqja është se në të gjithë këtë situatë, shteti, jo vetëm që nuk ka ndihmon, por edhe na pengon”.

“Nëse dikujt i pengojmë, le të na heqin, sepse edhe ashtu tash e një kohë puna jonë është bërë e pamundshme”.

“Na vjen keq dhe u kërkojmë falje të gjithë atyre që janë prekur nga kjo procedurë krejtësisht e pabazuar e MPJ-ja”, thekson në fund Federata e Basketbollit e Bosnjës dhe Hercegovinës.