“S’di çka me ba a kah me ja majt”, ishin fjalët e Elheme Abdullahut, teksa po vështronte gjendjen e shtëpisë dydhomëshe, në lagjën e Tovërlanëve në Podujevë, në të cilën kishte jetuar deri të shtunën e javës së kaluar. Nga ajo ditë, asaj i është pamundësuar jetesa aty, shkaku i vërshimeve të ujit që kishin përplasur gjithçka që u kishte dal përpara.
“S’di kah me ja majt”, thoshte vazhdimisht Elhemja derisa sytë iu mbushën me lot të cilët mezi i mbante të mos i rrjedhnin faqeve, të paktën kështu nuk do mërziste më shumë vajzën e saj që po i qëndronte pranë. “Nuk po muj duroj ma”, vazhdoi ajo duke treguar se, pas kësaj që i ndodhi me shtëpi, i gjithë halli i saj janë 4 fëmijët për të cilët ajo përkujdesej e vetme që prej 3 vjet, kur bashkëshori i saj kishte vdekur.
“Unë jetoj me dy parë jetima, se burrin e kam pas të martum, i ka pas dy fëmijë edhe dy tani masi jom martu une, veç katër krejt. E burri më ka vdek që tri vjet dhe me ka lanë me dy parë jetima. Unë jetoj veç me ni social. Edhe vjet m’ka hi uji n’shpi, po vjet ma pak se sivjet. Edhe vjet m’kanë nimu pak familja jem pak kush ka pas mundësi edhe s’e kom ba të madhe”, vazhdoi ajo duke treguar për Gazetën Infopress që këtë vit gjendja e shtëpisë është shumë më ndryshe.
Gjendja e shtëpisë së saj pas vërshimeve ishte me të vërtetë e rëndë. Sasia e madhe e ujit që tashmë ishte futur në shtëpi kishte shkatërruar thuajse të gjitha orenditë shtëpiake që gjendeshin brenda. Që nga dera e hyrjes së shtëpisë vëreheshin dëmet që kishin shkaktuar vërshimet. Tashmë nuk kishte nevojë të largosh këpucat për të hyrë brenda, sepse dyshemeja e shtëpisë nuk dallonte nga oborri. Shtretërit e mobilet tjera brenda që të gjitha ishin largur shumë. Pavarësisht se sa shumë ujë ishte futur në shtëpinë e saj, Elhemja prapë shpresonte që pajisjet e teknisës së bardhë do t’i funksionin prapë, anipse nuk i kishte testuar akoma pas vërshimeve.
“Po e sheh frizin qysh e ka rrzu, qe edhe shporetit qysh ju ka thy xhami. Hala nuk pe di a jon prishë a jo se nuk po kom ku me i provu se rrymën e kom nal si e kom pa qysh po hin uji mrena se u tutsha mos po hin nëpër shteka najkun e po bohet edhe ma zi”, rrëfente tutje ajo duke treguar shenjat që kishte lënë uji nëpër mure e që ishin afër prizave elektrike.
Për të parë nga afër situatën e kësaj familjeje kanë dal edhe zyrtarët komunale, për të cilët zonja Abdullahu tha se asnjëri nga ta nuk i ka thënë nëse do të mund t’i ndihmojnë diçka në lidhje me shtëpinë. E nga Komuna e Podujevës thonë se nuk ka mundësi financiare për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet. Avni Syla nga Drejtoria për Shërbime Publike thotë se e tëra që komuna mund të bëjë në këtë rast, është vlerësimi i dëmeve materiale dhe pajisja e të dëmtuarit me një dokument që tregon vlerën e dëmit. Ai ka treguar se komisioni është në terren duke bërë vlerësimin e dëmeve të atyre që janë paraqitur në komunë dhe se shumë shpejt do të bëjnë publik raportin e dëmeve.
“Pas kalimit të emergjencave, kur sigurohemi se njerëzit nuk rrezikohen, është qetësuar pak situata, ka rënë niveli i ujit, komuna ka një komision që quhet Komisioni për Vlerësimin e Dëmeve Natyrore dhe Dëmeve të tjera që zakonisht e bëjnë vlerësimin e dëmeve. Fatkeqësisht, në mungesë të fondeve, në mungesë të buxhetit ne si komision e bëjmë vetëm vlerësimin e dëmeve. Prej kur funksionon ky komision ne zakonisht raportin tonë, përmes kryetarit e dërgojmë në ministritë përkatëse. Tash një vit kemi pas kompensim të dëmit edhe atë 25% të dëmit të shkaktuar. Tri ose katër raporte tjera që kemi pasur për vlerësim të dëmeve nuk është përgjigjur qeveria në kompensim” , ka potencuar Syla për Gazetën Infopress.
Ai ka treguar se ekipi i emergjencëve e ka vizituar familjen e Elhemes që nga e shtuna disa herë. Mirëpo, sipas tij, në raste tilla prioritet është jeta e njerëzve pastaj dëmeve tjera. Fatmirësisht sipas tij, pas këtyre vërshimeve nuk kemi pasoja në njerëz, por vetëm në dëme në ekonomitë familjare dhe bujqësore.
“Rregullisht i kemi vizituar të gjitha familjet që ne e kemi parë që janë më të rrezikuara. Të shtunën në ora 23:00 i kemi përfunduar e jemi kthyer në bazë. Gjithë kohën kemi qenë në terren. Si drejtori e shërbimeve publike ose si sektori i emergjencave, ne përafërsisht e dimë ku i kemi pikat më të ndjeshme edhe ato rregullisht i kemi vizituar gjatë tërë kohës. Mirëpo të gjitha familjet, të gjitha pjesët ku i kemi pasur më të rrezikuara nuk ka pasur persona të rrezikuar, sepse ne jemi përqëndruar më shumë te njerzit. Pjesa ma e ndjeshme siç e dinë të gjithë ka qenë kjo pjesa te Tovërlantë, atë e kemi vizituar dy-tri herë minimumi. Familjen Tovërlani për të cilën pyesni e kemi vizituar rregullisht. Sipas familjarëve, ata nuk kanë qenë aty në ato momente siç e thash edhe më herët ne jemi fokusuar në sigurinë e njerëzve në ato momente”, ka thënë Syla duke shpresuar se pas përpilimit të raportit të dëmtuarit të kompenzohen nga qeverisja qëndrore.
Që nga vërshimet, Elhemja bashkë me fëmijët po qëndron te vllezëritë e saj në fshatin Bradash të Podujevës duke mos e ditur se kur do të mund të kthehen në shtëpinë e tyre. Atë po e shqetëson edhe humbja e orëve mësimore të fëmijëve sepse pas largimit nga shtëpia sipas saj, fëmijët nuk po kanë mundësi të vijnë nga Bradashi në Podujevë për të ndjekur mësimet.