Familja Z. nga Prizreni janë detyruar që të marrin kredi, për t’i mbuluar shpenzimet e larta për barnat e kryefamiljarit që po qëndron i shtrirë qe 5 javë në Klinikën Intensive në QKUK.
Ata kanë treguar se deri më tani kanë paguar rreth 1650 euro.
A.Z për Gazetën Shneta ka thënë se babanë e ka të shtrirë në internsive që pesë javë, i cili ra në koma pas tri operacioneve që iu nënshtrua brenda 10 ditëve.
I biri i tij udhëton çdo ditë nga Prizreni për të qenë afër babait, por edhe për të blerë barnat që mungojnë në spital. Ai thotë se për 5 javë qëndrim kanë paguar rreth 1650 euro për barna.
“Kemi marr kredi për të mbuluar shpenzimet. Unë, nëna dhe motra ndaras kemi marr kredi të shpejtë në I*** Credit. Deri tash askush nuk na ka ndihmu. Po e kemi shumë të vështirë sepse përveç barnave kemi edhe shpenzimet të udhëtimit e ushqimit”, deklaron A.Z. teksa tregon dhjetëra receta dhe kuponë fiskal të barnatoreve të cilat i ka ruajtur të gjitha.
Edhe familjarë të tjerë ankohen për shpenzime të mëdha për shkak të mungesës së barnave.
“Nuk kena asnjë vërejtje sa i përket kujdesit të stafit mjekësor, por po mungojnë shumë barna e materiale. Po na kushtojnë shtrenjtë sidomos disa lloje të antibiotikëve”, thotë një tjetër familjar.
Gazeta ka mësuar se mjekët në intensivë shpeshherë detyrohen që t’i huazojnë barnat për pacientët që iu përkeqësohet gjendja, nga pacientë të tjerë.