Pas shtatë viteve martesë, Fitim Kadriu nga qyteti i Podujevës u bë baba i një djali të cilin e quajti Rian. Por, pas dy muajve jetë, foshnja i ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes në tru. Fitimi po i akuzon mjekët e Emergjencës së Podujevës për mos ofrimin e ndihmës së duhur mjekësore në ditën kritike. Ai këtë rast e ka paraqitur në polici, në Odën e Mjekëve si dhe në Shoqatën e Pacientëve.
Fitim Kadriu nga Podujeva ende e ruan një mbajtëse fëmijësh të djalit 2 muajsh, Rianit, që i vdiq më 29 shtator në QKUK për shkak të gjakderdhjes në tru.
Babai i Rianit të ndjerë sot i ka disa ankesa ndaj mjekëve kosovarë për vdekjen e të birit.
Në një rrëfim për Gazetën Express, Fitim Kadriu ka shpjeguar rreth mënyrës së trajtimit të djalit të tij nga mjekët e Qendrës Mjekësore Familjare në Podujevë. Ai po i akuzon mjekët e Emergjencës së këtij qyteti për mosdhënien e ndihmës mjekësore, si dhe për mosrespektimin e obligimeve ndaj pacientit.
Fitimi thotë se ekipi mjekësor i Emergjencës së Podujevës nuk ia ofroi atij veturën e autoambulancës për ta dërguar djalin e tij për në QKUK për trajtim. Ani pse, siç tregon Fitimi, më datë 26 shtator të këtij viti kishte marrë udhëzimin e mjekut të Qendrës së Mjekësisë Familjare se rasti ishte emergjent dhe se menjëherë duhej dërguar për në QKUK.
“Djali më ka qajtë gjithë natën. Të nesërmen në mëngjes u drejtova në spital. Doktoresha Eshrefe Begolli ia bëri djalit një kontroll. Si e kontrolloi tha se djali është shumë mirë. U kthyem në shtëpi. Por, pas një kohe po e shoh se djalit iu keqësua gjendja. Pas kësaj u drejtova në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë. Aty e kontrolloi doktoresha Xhevë. Ajo, si e pa, tha se djalin urgjent duhet ta dërgojmë për në QKUK. Unë e mora udhëzimin e mjekes dhe u drejtova në Emergjencë të Podujevës”, tregon Kadriu.
Pas asaj, ai thotë se me udhëzim emergjent u drejtua për në Emergjencën e QKMF’së në Podujevë. Por, aty, Kadriu thotë se u detyrua të presë.
“Aty u takova me doktor Shyqri Osmanin. Ia tregova rastin dhe udhëzimin. Më tha a mundem me pa djalin. I thashë që mjekja e kontrolloi. Ia afrova djalin. Nuk e kontrolloi vetëm ia lëshoi sytë. Unë prita aty diku 10-15 minuta dhe nuk mora përgjigje. Po hyj në një dhomë tjetër dhe po e kërkoj shoferin. Ajo më tha vetëm se nuk di”.
Pas vonesave për sigurimin e autoambulancës për dërgimin e Rianit të vogël për në Emergjencë, prindi i tij thotë se u detyrua që të bëjë zgjidhje vet.
“Ia mora udhëzimin dhe bëra zgjidhjen vetë. E kam thirrur vëllain në telefon, ai ka ardhur diku pas 15 minutave , d.m.th. dikun 25 minuta unë kurrfarë përgjigje nuk kamë marrë. Unë me veturë private jam drejtuar për në QKUK. Rruga ishte kolonë dhe u detyrova që unë vetë të dal në rrugë e të luaj rolin e policit për t’ia bërë korridorin veturës për ta kaluar djalin”, rrëfen për vështirësitë me të cilat është ballafaquar për ta dërguar djalin në QKUK ky banor nga Podujeva.
Por, mjekët e Emergjencës thonë se vonesa për trajtimin e këtij rasti nuk ka pasur.
Doktori i cili po akuzohet nga prindi i fëmijës për mostrajtim mjekësor, Sheqir Osmani, i tha Expressit se pritjet nuk kanë qenë të mëdha dhe se prindi i fëmijës me vetëdëshire e ka dërguar djalin e tij me veturë personale në QKUK dhe nuk e ka pritur ambulancën.
“Dy deri në katër minuta ka qenë pritja. Një shofer atë natë ka qenë në ndërrim. Personi në fjalë nuk ka pritur për t’ia ofruar trajtimin mjekësor”, ka deklaruar mjeku i cili po akuzohet nga prindi i Rianit të ndjerë.
Zyrtarët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë po deklarojnë se janë duke i marrë deklaratat e gjithë stafit mjekësorë i cili ka qenë në ndërrim në ditën kur prindi i Rianit ka kërkuar ndihmë mjekësore.
Bejtush Gashi, drejtor i QKMF’së i tha Gazetës se pritjet për këtë rast janë në bazë të parametrave të lejuar për rastet emergjente.
“Ne nga babai i foshnjës jemi njoftuar përmes një ankese ku ai është ankuar gjoja se ka pasur vonim për transportimin e fëmijës në qendrën emergjente në Prishtinë. Fëmija më herët ka kërkuar ndihmë në qendrën familjare. Doktoresha e ka udhëzuar prej Qendrës emergjente të transportohet për në Prishtinë. Ne i kemi marrë përveç deklaratës së familjarit edhe personelin mjekësor që kanë qenë në ndërrim. Në bazë të analizave të deklaratave, prej momentit që është kontrolluar ai në mjekësinë familjare, pritjet sillen diku afro 15 minuta”, deklaroi Gashi.
Rasti, nga prindi i foshnjës është raportuar edhe në policinë e rajonit të Podujevës. Komandanti i këtij stacioni, Bekim Bislimi, deklaroi se rasti është hetuar për mostrajtim adekuat shëndetësor.
“Në fillim të muajit tetor në stacionin policor është lajmëruar pala. Ankesa e tij ka të bëjë me mostrajtim adekuat nga ana e Qendrës Mjekësore në Podujevë. Ne e kemi filluar një hetim preliminar në kuadër të stacionit policor në Podujevë dhe pas konsultave me prokurorin e shtetit, lënda ka vazhduar në drejtorinë përkatëse në regjionin e Prishtinës”, deklaroi ai.
Prindi i foshnjës thotë se këtë punë do ta çojë deri në fund. Ai për rastin është ankuar edhe në Odën e Mjekëve si dhe në Shoqatën e Pacientëve.
Rian Kadriu, i lindur më 17 gusht të këtij viti ka ndërruar jetë në QKUK, rreth dy muaj më vonë, më 27 shtator si pasojë e gjakderdhjes në tru.






