Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për arrestimin e menaxherit të agjensionit turistik në Pejë ‘Express Travel’, i cili dyshohet se ka mashtruar dhjetëra mërgimtarë me bileta aeroplani.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i arrestuar është Roland Idrizaj, 32-vjeçar.
Roland Idrizaj
Idrizaj dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrim’, duke marrë paratë e mërgimtarëve për bileta kthyese në vendet ku ata jetojnë, por në momentet e fundit qytetarët kanë mbetur pa udhëtuar. Kjo pasi që nuk kanë pasur vende të rezervuara në aeroplanët që nisen nga Kosova për në perëndim.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se pas denoncimit të parë nga tre mërgimtarët, në stacion policor për rastin e njëjtë janë paraqitur edhe 15 persona tjerë nga të gjitha rajonet e Kosovës, ku të gjithë pretendojnë se janë mashtruar nga Roland Idrizaj.
Idrizaj është paraqitur në stacionin policor në Pejë gjatë ditës së djeshme, ku i është përgjigjur pyetjeve të hetuesve policorë dhe ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj të njëjtit është ngritur kallëzim penal për veprën ‘Mashtrim’.
Por kjo nuk është hera e parë që Idrizaj ka telashe me ligjin. Ai ishte arrestuar edhe në prill të vitit 2019, ku edhe atëherë dyshohej se në bashkëkryerje me një grua, kanë mashtruar me avio-bileta gjithsej 27 bashkatdhetarë.
Arrestimi i tyre ishte bërë gjatë një operacioni policor në katër lokacione, në rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë.
Sinjali do t’iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, të cilët përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se Idrizaj i ka vёnё nё lajthitje mërgimtarët me qёllim të pёrfitimit personal.
“Tё njёjtit deklarojnё se nё afate tё ndryshme kohore nё vitin 2022, gjatё sezonit verorё kanё rezervuar bileta tё aeroplanit vajtje-ardhje pёr ta dhe familjarёt e tyre nga shtete tё ndryshme tё Europёs pёr nё Kosovё. Pas fillimit tё hetimeve nga Stacioni Policor Pejё, i dyshuari nuk ka qenё i qasshёm dhe ndёrkohё me datё 08.08.2022, nga familjarёt e tij ёshtё paraqitur si person i zhdukur”, thuhet në komunikatë.
Sipas Policisë, pas fillimit të hetimeve, Idrizaj nuk ka qenë i qasshëm dhe ndërkohë nga familjarët e tij është raportuar si person i zhdukur.
“Pas fillimit tё hetimeve nga Stacioni Policor Pejё, i dyshuari nuk ka qenё i qasshёm dhe ndёrkohё me datё 08.08.2022, nga familjarёt e tij ёshtё paraqitur si person i zhdukur. Pas njё pune intensive tё hetuesve tё Stacionit Policor Pejё, me datё 11.08.2022, i dyshuari: R.I. i lindur me 1990, ёshtё arrestuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.