Është rënduar gjendja nga vërshimet e shumta që kanë krijuar reshjet e dendura të shiut në disa zona të Podujevës, raporton Llapi.info.

Si pasojë e përmbytjeve, deri më tani, në Podujevë është bërë evakuimi i një familje.

Kështu kanë bërë të ditura burime të Llapi.info.

Evakuimi i kësaj familje është bërë në rrugën “Tetova” në lagjen që gjendet prapa marketit “ETC”.

Në anën tjetër, në një postim në rrjetin social Facebook, kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se janë angazhuar pesë kompani për intervenim.

“Bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Bahri Selimi vizituam fshatrat Pakashticë, Letanc, Siboc dhe zonat urbane të prekura nga vërshimet. Gjendja në teren është tejet e rëndë, ne i kemi angazhuar 5 kompani të cilat po punojnë me kapacitete të plota në intervenim. Lus qytetarët për kujdes të shtuar, si dhe kërkoj nga ana e tyre të bashkëpunojnë në çdo situatë me ekipet emergjente institucionale. Dua ta siguroj gjithësecilin se ne do të jemi pranë tyre në çdo kohë”, shkruan ai./Llapi.info