Eurodeputeti gjerman, Peter Beyer, dërgoi mesazhin e qartë në Beograd se Bashkimi Europian nuk pranon shtete që kanë çështje të pazgjidhura kufitare apo territoriale.
Prandaj, ai tha se Kosova dhe Serbia duhet ta njohin njëra-tjetrën.
“Nuk mund të ketë çështje të pazgjidhura kufitare apo territoriale brenda BE-së”, tha ai në një konferencë në Beograd.
Beyer, i cili në Bundestag është edhe raportues i partisë së tij, CDU, për Ballkanin Perëndimor, do të përpilojë një raport për rajonin pas kthimit të tij në Berlin.
Beyer foli edhe për qasjen e Gjermanisë ndaj Ballkanit Perëndimor, duke thënë se pret nga udhëheqësit e vendit të tij të ofrojnë përmbajtje.
“Nuk e kam të qartë se si do të pozicionohet qeveria e re në lidhje me procesin e anëtarësimit, apo çështjen Serbi-Kosovë. Unë shoh që kancelari dhe shefja e diplomacisë udhëtojnë shumë në rajon, por tani duhet të shohim se çfarë përmbajtje do të ofrojnë”, theksoi ai.
Ai po ashtu tha se nisma Ballkani i Hapur duhet të funksionojë si pjesë e procesit të Berlinit.
“Unë mendoj se është e mençur që kjo nismë, nëse zbatohet në mënyrë korrekte dhe transparente, të vazhdojë si pjesë e procesit të Berlinit”, tha Beyer.