I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, këtë javë do të vizitojnë Kosovën dhe në Serbinë.

Ndonëse ende nuk dihet asgjë për agjendën e viziës së Escobar dhe Lajçak në Prishtinë, lajmi.net ka mësuar se i dërguari i SHBA-ve do të takohet me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Krasniqi sipas burimeve të lajmi.net është ftuar nga Escobar në darkë pune në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

“Kryetari i PDK-së, z. Memli Krasniqi është i ftuar nga z. Escobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burime të lajmi.net nga PDK.

Vizita e Escobar dhe Lajçak në Kosovë vjen në momentet kur ka ndodhur një intensifikim i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë pas tensioneve të fillimit të gushtit në pikat kufitare me Serbinë si pasojë e vendimit për aplikimin e masës së reciprocitetit për targa dhe dokumente udhëtimi.

Mbetet të shihet se cila do të jetë agjenda e këtij takimi, por është vërejtur një përpjekje më konkrete kohëve të fundit që Kosova dhe Serbia të shkojnë më shpejt drejt një marrëveshjeje.