Lokale - eSIMy
Eron Hoxha, emër i njohur në fushën e Edukimit Fizik dhe Sportit, është shpallur Ambasador i organizatës ndërkombëtare IOHSK për vitin 2025-2026. 
Eron Hoxha, me origjinë nga Podujeva, është mësues i Edukimit Fizik dhe Sportit në American School of Kosova dhe trajner futbolli në Shkollën e Futbollit “2 Korriku”. 
Ky nderim i është dhënë si pasojë e përkushtimit të tij të palodhur dhe kontributit të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Edukimit Fizik dhe iniciativave në kuadër të Shkencave Sportive. Për vite me radhë, Ambasadori ka qenë i angazhuar në IOHSK, e cila ka një shtrirje globale dhe ka anëtarë në shumicën e shteteve të botës.
Aktivitetet dhe projektet ndërkombëtare që ai ka mbështetur kanë pasuruar përvojën e tij dhe kanë ndihmuar në zgjerimin e misionit të IOHSK-së për zhvillimin e Edukimit Fizik dhe promovimin e vlerave të sporteve si një instrument kyç për të rinjët! 
Një moment kyç në angazhimin e tij ka qenë pjesëmarrja në një konferencë shkencore ndërkombëtare në Bangkok, ku Eron Hoxha mbajti një prezantim shkencor në fushën e Sportit. Ky kontribut ka demonstruar pasionin dhe angazhimin e tij për avancimin e Shkencave Sportive dhe Edukimit Fizik në nivel global, duke vënë theksin te rëndësia e përdorimit të metodologjive të reja për zhvillimin e kësaj fushe specifike.
Si Ambasador i IOHSK, Eron Hoxha do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e organizatës për të ofruar mundësi të barabarta në fushën e Edukimit Fizik për të rinjtë anembanë botës. 
Ai gjithashtu do të punojë për të forcuar lidhjet ndërkombëtare, duke promovuar aktivitete që stimulojnë zhvillimin e shëndetit fizik dhe mirëqenies. Ky përkushtim është një hap i rëndësishëm, jo vetëm për Eron Hoxhën, por edhe për IOHSK dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, që po sheh rritje të individëve me ndikim global në fushën e Edukimit Fizik dhe Sportit. 

Tashmë, ky nderim i jep mundësi për të thelluar ndikimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Ballkanit në arenën globale.