Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë në ceremoninë e varrimit në mungesë që u organizua për presidentin e parë të Egjiptit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, i cili ndërroi jetë dje gjatë një seance gjyqësore.

Ceremonia u organizua në Xhaminë Fatih në Stamboll, krahas shumë qyteteve të tjera të Turqisë.

Në fjalën e tij pas namazit, Erdogan tha se nuk beson që vdekja e Morsit ka ndodhur në rrethana normale.

“Nuk besoj se vdekja e Morsit ishte vdekje normale. Kjo pasi ata janë aq frikacakë, saqë nuk ia dorëzuan familjes Mohamed Morsin”, u shpreh presidenti turk.

“Mohamed Morsi kishte një testament, në të cilin kishte kërkuar të varrosej në fshatin e tij. Por këta nuk e pranuan dhe Sisi sërish e vazhdoi botëkuptimin dhe zullumin e tij”, shtoi Erdogan, raporton AA.

“Mos harroni se Sisi ekzistojnë edhe në këtë vend. Prandaj, duhet të jemi të shumë të kujdesshëm”, tha po ashtu Erdogan.

Ndryshe, 67-vjeçari Morsi humbi jetën dje në një seancë gjyqësore në të cilën përballej me një sërë akuzash që kur u rrëzua dhe u burgos pas puçit ushtarak në vitin 2013.

Ai u varros në lindje të Kajros në orët e hershme të mëngjesit të sotëm nën masa të forta të sigurisë dhe në prani vetëm të anëtarëve të familjes së tij dhe avokatëve.