Veturat shpesh herë janë cak i hajnave, të cilët po shkaktojnë frikë e pasiguri te qytetarët. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në Podujevë.

Kësaj here viktimë e hajnave ra një mërgimtare e cila ka ardhur nga Zvicra që t’i kalojë pushimet verore në vendlindje.

Sinjali mëson se 35-vjeçarja kishte shkuar t’i dërgojë fëmijët brenda banesës dhe kur është kthyer të marrë valixhen në veturë, ka parë se ajo është hapur nga persona të panjohur.

Burimet bëjnë të ditur se hajnat kanë arritur që të vjedhin pasaporta të Kosovës dhe letërnjoftimet zvicerane.

Ajo ka denoncuar rastin në Polici, me ç’rast njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që zbardhin rrethanat në të cilat ka ndodhur rasti.

Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, ndërsa me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje’.