Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, ka vizituar kompaninë prodhuese KIVO në Kaçanik.
Ai u shoqërua nga bashkëshortja e tij, Patricia Ennis, bashkëpunëtorët e ngushtë, atdhetari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Hari Bajraktari, përfaqësues të USAID dhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.
Bashkëthemeluesi i kompanisë KIVO, Visar Ramajli, informoi kongresmenin Engel lidhur me funksionimin e kompanisë, si dhe mundësitë e të bërit biznes në Kosovë.
Ai falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e tij dhe tha se tani është momenti që në Ëashington të flitet për nevojën e rritjes së investimeve amerikane në Kosovë.
Ramajli shtoi se përgjatë viteve ka pasur përmirësim të madh në mjedisin e të bërit biznes në Kosovë.
Në anën tjetër, i impresionuar me të arriturat e kompanisë, kongresmeni Eliot Engel tha se storiet e tilla të suksesit janë pasqyrimi i vërtetë i shpirtit të kosovarëve.
Ai u shpreh krenar me angazhimin e tij për Kosovën, duke shtuar se edhe pas 30 viteve të karrierës së tij politike, sërish do ta vinte Kosovën në krye të prioriteteve të tij.
Kongresmeni Eliot Engel qëndroi ditëve të fundit në Kosovë, ku mes tjerash mori pjesë edhe në përurimin e ndërtesës së re të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.






