Rinia e Partisë Demokratike të Kosovës ka zhvilluar një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë,kjo për të shprehur kundërshtimet në lidhje me kërkesën që KESCO e ka bërë për të rritur çmimin e energjisë edhe për 21.3 për qind.
Në emër të tyre, para mediave foli kryetari i degës në Prishtinë, Trim Syla, i cili theksoi se ky aksion është një thirrje për përgjegjësi dhe ndalje të goditjes së drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.
“Sot s’kemi ardhë me pankarta. Kemi ardhë me një faturë. Një faturë që po e ngulfat jetën e qytetarëve çdo muaj. Një familje në Kosovë, me 1000 euro të ardhura mujore, ka 1085 euro shpenzime bazike. Pa luks. Pa pushime. Pa kursime. Vetëm bukë. Vetëm rrymë. Vetëm ngrohje. Vetëm qira, ilaçe dhe shkollë për fëmijët. Minus 85 euro çdo muaj. Çdo muaj fillon me borxhe. Çdo muaj mbyllet me frikë”, tha Syla.
“Paramendojeni sa e vështirë është jeta për ta. E lëre më për një familje që ka vetëm një anëtar të punësuar. Aty nuk flasim më për vështirësi. Aty flasim për mbijetesë. Shkaku kryesor? Rryma. 175 euro faturë mujore për energji elektrike. Rritja prej 21% e çmimit të energjisë elektrike nuk është reformë. Është goditje direkte ndaj familjes. Është shtytje drejt varfërisë”.
Ai ka thënë qytetarët jo vetëm që po varfërohen, ata edhe po vidhen, sepse, sipas tij, kur rritet rryma, rritet buka, rritet transporti, rritet gjithçka – veç paga jo.
“Energjia nuk është luks. Është nevojë bazike. Sot, kjo faturë do të qëndrojë këtu derisa dikush të marrë përgjegjësi. Sepse Kosova nuk mund të qeveriset duke e ftohur shtëpinë e qytetarit, për ta ngrohur propagandën e Albin Kurtit”, ka përfunduar Syla.






