Lokale - eSIMy

Anëtari dhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se dega e kësaj partie në Llap është e përçarë, për çka, siç ka thënë ai, domosdo i duhet një unitet, shkruan Llapi.info.

Krejt kjo, sipas Veliut, pasi në këtë proces të fundit zgjedhor janë lënë anash disa figura të rëndësishme të LDK-së nga ish-kandidati për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni.

“Kryesia e LDK-së s’e ka pasur asnjë arsye që ta marrë një vendim të tillë. Me këtë vendim lidershipi i LDK-së, degën e LDK-së në Podujevë e ka nxjerrë nga legjitimiteti. Nga një degë unike është bërë e përçarë. Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorët e kanë obligim që të bëjnë veprimin për unifikimin e LDK-së. Përndryshe, nëse nuk merret diçka në këtë drejtim, do të ketë akoma më shumë përçarje, pasi janë lënë anash disa figurat kryesore të LDK-së që kanë bartë barrën kryesore, siç janë; Nexhmi Rudari, Visar Hoti, Mirsad Kamerolli, Vezir Januzi, Faik Muçiqi, Hamdi Jaha, Zaim Thaçi, e ka shumë të tjerë që janë lënë anash dhe jashtë procesit, sepse kandidati i Abdixhikut ka dashtë me garuar me një ekip të ri”, ka thënë Veliu ditë më parë në Dukagjin.

Veliu ka theksuar se fajtori për humbjen e LDK-së në Podujevë është tek kandidati dhe kryetari Lumir Abdixhiku.

“Faktikisht ai ka bërë një distancim të pashembullt ndaj LDK-së, për projektet 20 vjeçare në Podujevë. Ai s’e ka mbrojtur LDK-në dhe është distancuar. Ekipi i ri i tij, kush ka qenë në këtë ekip, është për keqardhje nga njerëzit që e kanë rrethuar. Grupi tij kanë qenë kryesisht shoferë, “bodyguardë”  dhe ndonjë anëtar i kryesisë së më hershme, njerëz që kanë lejuar të luajnë me dinjitetin e tyre”, ka thënë ai.

Ish-kryetari i Podujevës ka thënë se kreu i LDK-së, Lumir Andixhiku, sipas tij, e ka për detyrë që të bëjë unifikimin e degës së partisë në Podujevë.

Sipas Veliut, nëse vazhdon kështu dega e LDK-së në Podujevë ajo do të përçahet edhe më shumë./Llapi.info