Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me Zyrën e BE-së në Kosovë, Qeverinë Zvicerane, Suedeze dhe Norvegjeze kanë ndarë rreth 8 milion Euro për Grantin e Performancës Komunale (GPK) me qëllim që të shpërblehen komunat me performancën më të mirë në tri fusha kryesore: Qeverisje Demokratike, Menaxhim Komunal dhe Ofrim të Shërbimeve, të përbëra nga 10 nën-fusha me gjithsejtë 28 treguesit të performancës.

Gjatë fjalës së tij, ministri Elbert Krasniqi vuri në theks se Granti i Performancës Komunale është instrument i qeverisë, që mbështetë komunat financiarisht, mbi bazën e parimit të meritës dhe i renditë ato në baza vjetore, sipas performancës tyre.

Krasniqi nënvizoi se ky vit e gjen Grantin e Perfomancës më të avancuar, me ligj të veçantë, me më shumë fonde, me më shumë projekte dhe më shumë partnerë.

“ Për herë të parë procesit të vlerësimit i është shtuar edhe kontrolli në teren, me synimin e vetëm që të jemi sa më transparent dhe objektiv në vlerësim. Ky kontroll do të shtohet edhe më tutje për të gjitha komunat dhe të gjitha fushat raportuese në të ardhmen në mënyrë që të kemi rezultate të sakta dhe transparente” tha Krasniqi.

Komunat përfituese janë: Dragashi, Gjilani, Gllogoci, Graçanica, Hani i Elezit, Kaçaniku, Lipjani, Mitrovica e jugut, Obiliqi, Peja, Rahoveci, Shtërpca, Suhareka, dhe Vitia.

Ndërkaq, 3 vendet e para komunat me performancën më të mirë të cilat marrin një grant shtesë janë: Komuna e Rahovecit – vendi i i 1-rë, Komuna e Lipjanit – vendi i i 2-të, Komuna e Gllogocit – vendi i i 3-të.