Eksportet dhe importet në Gjermani në prill e kanë pësuar rënien më të madhe që nga viti 1990 për shkak të krizës ekonomike që erdhi si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Shumë ekonomistë besojnë se pandemia do ta çojë ekonominë më të fuqishme të Evropës drejt rënies më të madhe që nga Lufta e Dytë Botërore gjatë çerekut të dytë të këtij viti, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Eksportet shënuan rënie prej 24 për qind në nivel mujor, ndërsa importet u ulën për 16.5 për qind. Suficiti tregtar u tkurr në 3.2 miliardë euro, njoftoi Zyra Federale e Statistikave.
Disa ekonomistë më herët kishin parashikuar rënie të eksporteve prej 15.6 për qind, ndërsa rënie të importeve për 16 për qind. Suficiti tregtar ishte parashikuar të binte në 10 miliardë euro.
Ekonomisti Alexander Krueger thotë se rimëkëmbja e ekonomisë mund të ketë nisur për shkak të lehtësimit të masave kufizuese dhe rihapjes së kufijve, por pak ka mbetur nga rritja e madhe e eksporteve në dekadën e fundit. “Rruga për të dalë nga korona është e gjatë dhe e pasigurt, sidomos për tregtinë e jashtme”, tha ai.
Sipas statistikave zyrtare, nga kriza më së shumti janë prekur eksportet për në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa eksportet në Kinë kanë rënë pak më pak.





