Marrëveshja e nënshkruar të premten në Washington i ka dhënë të drejtën e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, Serbisë. Njohës së çështjes së Ujmanit dhe resurseve të Kosovës kanë kritikuar këtë pikë. Sipas tyre, kjo s’do të duhej të diskutohej fare.

“Të dyja vendet janë pajtuar të punojnë me Departamentin amerikan për Energji, për studim fizibiliteti në mundësinë e përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si burim për ujë dhe furnizim me energji”, thuhet në njërën nga pikat e marrëveshjes së djeshme.

Afrim Lajçi nga Këshilli Ndërministror për Ujëra në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për KOHËN se një pikë e tillë nuk është dashur të jetë fare e diskutueshme në negociatat me Serbinë. Sipas tij, në aspektin ligjor nuk ka çështje të diskutueshme ndërmjet dy shteteve për Ujmanin.

Image
“Ujmani është resurs jetik i Kosovës, i ndërtuar me mjete të Kosovës, për nevoja të Kosovës dhe nuk ish dashtë me qenë i diskutueshëm, me qenë objekt i negociatave. Në nivelin ligjor dhe praktik, është resurs i ndërtuar për Kosovën. Nuk ka në kuptimin ligjor asnjë çështje të diskutueshme”, ka deklaruar ai.

Pas studimit të fizibilitetit që pritet të bëhet me SHBA-në, Lajçi thotë se shpreson që Kosova të arrijë të argumentojë që Ujmani është i ndërtuar vetëm për interesa të saj.

Kurse eksperti Avdi Gjonbalaj, i cili ka qenë ish-funksionar i lartë në kohën kur është ndërtuar Liqeni i Ujmanit, ka thënë se Serbia me këtë veprim po tenton t’i fusë duart në “xhepat” e Kosovës, për të përfituar financiarisht.

Image
Për të, nënshkrimi i Marrëveshjes me këtë pikë është absurd, pasi Serbia nuk ka kurrfarë të drejte mbi të.

“Serbia në asnjë variant nuk e ka asnjë të drejtë për Ujmanin. Ujmani është projektuar për nevoja të Kosovës dhe ajo ka marrë hua nga Banka Botërore për të. Nga Serbia duan të sigurojnë para prej të hyrave që realizohen përmes këtij sistemi, qoftë me hidrocentral apo me ujë që u jepet industrisë, banorëve e bujqësisë. Kufiri duhet të mbetet ku është, ndërsa toka ku është formuar akumulimi është paguar me para dhe nuk ka Serbia asnjë të drejtë”, ka thënë ai.

Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë dhe gjendet në pjesën veri-perëndimore të vendit. Ka sipërfaqe prej 11.9 kilometrash katrorë. 9.2 kilometra katrorë janë në territorin e Kosovës e 2.7 në atë të Serbisë.

Marrëveshja mbi Ujmanin është nënshkruar të premten në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Para nënshkrimit, u krijua tension në delegacionin kosovar për këtë çështje. Ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që kundërshtoi përfshirjen e çështjes së Liqenit të Ujmanit në marrëveshje, madje kërcënoi me largim nga qeveria. Por, pas nënshkrimit, Haradinaj iu bashkëngjit krerëve të tjerë politikanë që përgëzuan arritjen e saj, duke thënë se s’ka pranuar marrëveshje trilaterale ku Serbia është palë.

Ndërsa, partitë opozitare, VV dhe PDK, nuk e duartrokitën marrëveshjen, me arsyetimin se e njëjta krijonte pasiguri dhe sillte dëme për Kosovën.