Ngacmimet dhe abuzimet seksuale me të mitur ashtu si në mbarë botën janë kthyer në shqetësim edhe për Shqipërinë. Eksperti për mbrojtjen e fëmijëve nga UNICEF thotë se në Shqipëri problem mbetet niveli i ulët i raportimeve, transmeton oranews.

David Gvineria: Gjenerata e prindërve, që kanë thuajse të njëjtën moshë sa unë, nuk janë shumë familjarë me internetin dhe ata nuk e kuptojnë çfarë ndodh në internet, është një fushë krejt e re për ta. E dyta arsye pse kemi nivel të ulët të raportimeve është se abuzimi seksual është çështje shumë private dhe sensitive dhe ne nuk e kemi të lehtë të flasim për të.

Më te ekspozuar ndaj këtij fenomeni, fëmijët i bën përdorimi i internetit dhe qëndrimi gjatë në botën virtuale.

David Gvineria: Çdo vit mosha e fëmijëve që hyjnë për herë të parë në internet është duke u ulur. Nëse tani mosha e përafërt është 9 vjeç, për dy apo tre vite do të kemi 7 apo 8 vjeç që do hyjnë online në internet. Përafërsisht fëmijët shpenzojnë 3 orë në ditë për të lundruar në internet.

Më shqetësues është fakti që 16% e të miturve takojnë persona të panjohur, me të cilët kanë komunikuar përmes internetit.

David Gvineria: Fëmijët nuk ndihen komod të flasin me prindërit për diçka që i ka shqetësuar në internet, ata fillimisht flasin me miqtë, sepse ndihen të frikësuar dhe mendojnë se prindërit nuk mund t’i kuptojnë.

Ekspertët apelojnë prindërit që të komunikojnë më tepër me fëmijët e tyre, duke krijuar besim tek ta.