Lokale - eSIMy

Pak më parë Gazeta Sinjali raportoi për një të dyshuar që u kap me armë dhe drogë në një motel në Shkabaj. Ky rast ndodhi mëngjesin e së martës në Motelin “Venecia” në fshatin Shkabaj të Obiliqit, me ç’rast personi i arrestuar nga Policia, duke tentuar ta fshehë armën, e hodhi atë nga dritarja e dhomës.

Burime të sigurta të Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i dyshuari është Bekë Salijaj, rreth 30-vjeçar, i cili ndodhej në motel me një femër, kur Policia – e informuar nga Alfa Kontrolle – ndërhyri nën dyshimin për armë dhe drogë në pronësi të tij.

Me lejen e të dyshuarit, Policia ka bastisur dhomën dhe ka gjetur një qese me marihuanë (1.2 gram), ndërkohë që arma e shkurtër e llojit Zoraki, me karikator, u gjet në oborr të motelit, pasi dyshohet se u hodh nga dritarja e dhomës ku qëndronte i dyshuari.

Bekë Salijaj është shoqëruar në stacionin policor dhe intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka mohuar që arma të jetë në pronësi të tij.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar për dy vepra penale: “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.

Hetimet janë duke vazhduar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.