Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ekrem Hyseni, ka kërkuar nga ekzekutivi komunal që të ndal presionin ndaj drejtorëve të shkollave në këtë komunë, raporton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, Hyseni thotë se kjo situatë, sipas tij, krijon konfuzion të madh te prindërit dhe nxënësit llapjanë.

“Të ndalet menjëherë presioni ndaj drejtorëve të shkollave dhe personelit arsimorë në Podujevë. Akterët qeveritarë të ulen me përfaqësuesit sindikalë dhe të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e situatës së krijuar. Kjo është rruga e vetme. E jo presioni përmes pushtetit lokal. Ky është problem i nivelit qendror dhe përdorimi i komunave për qëllime politike eshtë i papranueshëm. Situata e krijuar sot nga ndërhyrja e pushtetit lokal në drejtorët e shkollave po shkakton konfuzion të madh te prinderit dhe nxënësit tanë. Kjo është e papranushme! Tendenca e përdorimit të shkollave të Llapit për realizim të axhendave politike do të prodhojë probleme edhe për të ardhmen, sepse të njejtit do të punojnë bashkë edhe pas këtyre situatave”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndryshe, drejtrori i Arsimit në Podujevë, Avni Fetahu, ka deklaruar se sot do të nis mësimi në të gjitha shkollat e kësaj komune, por një gjë të tillë e ka demantuar kryetari i Sindikatës së Arsimit, Fadil Halimi, i cili ka thënë se greva do të vazhdojë./Llapi.info