Lokale - eSIMy

Kandidati i LDK-së për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni ka reaguar pas akuzave të kandidatit të VV-së, Shpejtim Bulliqi, për fushatë të ulët ndaj tij, shkruan  Llapi.info.

Në një reagim në Facebook, Hyseni duke thënë se këto shkelje duhet të paraqiten para organeve të drejtësisë, ka thënë se këto akuza s’i ka dëgjuar para publikimit të rezultateve.

“Për më tepër, akuzat e bëra mbrëmë nuk i kemi dëgjuar para publikimit të rezultatit të votimit në komunën e Podujevës. Viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte”, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Nuk është natyrën time të merrem me të tjerët, megjithatë jam i detyruar të reagojë pasi dje, unë dhe ekipi im, jemi apostrofuar si provomues të një fushate të ulët.

Unë dua të sigurojë të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës dhe të Kosovës se unë dhe ekipi im gjatë tërë kohës kemi bërë një fushatë pozitive, të fokusuar në program dhe kemi dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.

Në rreth 600 takime me qytetarë anë e mbanë Llapit dhe Gollakut, asnjëherë nuk jemi marrë me kundërkandidatët. Për këtë mund të dëshmojnë afro 20,000 qytetarë që i kam takuar. Asnjëherë nuk jemi marrë me shpifje personale e as me blerje të votave. Asnjëherë nuk kanë qenë në fokus të fushatës sime kundërkandidatët, edhe pse kundërkandidati në fjalë qysh në adresimin e parë, në debatin e parë të fushatës, ka nisur me sulme ndaj integritetit tim dhe të familjes sime.

Integriteti i secilit prej nesh nuk ndërtohet gjatë fushatës zgjedhore por ndërtohet nga veprat tona gjatë tërë jetës.

Për më tepër, akuzat e bëra mbrëmë nuk i kemi dëgjuar para publikimit të rezultatit të votimit në komunën e Podujevës. Viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte.

Unë ftojë të gjithë ata që kanë dëshmi për shkelje ligjore dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor që t’i paraqesin dëshmitë pranë organeve të drejtësisë.

Unë siguroj qytetarët e komunës së Podujevës që edhe në raundin e dytë do të bëjë fushatë pozitive dhe të bazuar në program sepse në këtë mënyrë e fituam besimin e qytetarëve tanë me 17 tetor dhe jam i bindur se do ta fitojmë edhe me 14 nëntor.

Fushata denigruese e LDK-së, Bulliqi thotë se publikuan fotografi kinse ai është me një femër