Kryetari i Degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka kujtuar masakrëm e Dyzit, në të cilën kishte rënë edhe vëllai i tij, Muharremi, shkruan Llapi.info.
Me këtë rast, Hyseni ka treguar se janë mbjellur 227 drunj që simbolizojnë 227 viktimat e kësaj masakre.
Shkrimi i plotë;
Kujtim dhe nderim i përjetshëm për të gjitha viktimat e rëna në Masakrën e Dyzit.
Në këtë ditë me nder dhe krenari kujtuam edhe vëllaun tonë, Muharrem Hyseni, i rënë në altarin e lirisë. Ndërsa me një ceremoni mbollëm 227 drunj që simbolizojnë 227 viktimat e kësaj masakre.
Gjithmonë, e në momente si kjo, me ndjenjën më të thellë të mirënjohjes e falënderojmë, Dr. Shaqir Uka, i cili në kushte shumë të vështira u kujdes për shëndetin e familjes tonë dhe të gjithë të plagosurve tjerë në Kodrën e Trimave.
Për njerëz të tillë do të lëmë amanet që falënderimi të përcillet gjeneratë pas gjenerate.






