Një ekip i Kombeve të Bashkuara, i udhëhequr nga gjenerali i pensionuar holandez, Patrick Cammaert, ka arritur në portin e qytetit, Hodeida në Jemen, ashtu që të nisë misionin e monitorimit.

Cammaert ka arritur në Hodeida më 23 dhjetor pasi është takuar me zyrtarë qeveritarë në Aden.

Ai pritet që të fillojë vëzhgimin në portin kyç të Jemenit më 24 dhjetor, i cili shërben si pikë kyçe për dërgimin e ndihmës humanitare për popullin e goditur nga lufta në këtë shtet.

Ekspertët kanë thënë se banorët e Jemenit janë duke u përballur me uri të thellë, për shkak të luftës që është kryer nga forcat qeveritare të Jemenit, të përkrahur nga Arabia Saudite dhe rebelët huthi të mbështetur nga Irani, transmeton REL.

Të dyja palët ndërluftuese janë pajtuar për arritjen e një armëpushimi në Hodeida, pas bisedimeve për paqe të zhvilluara gjatë këtij muaji në Suedi.

Ky pakt njëherësh është konsideruar si mundësia më e mirë për t’i dhënë fund konfliktit shkatërrues katërvjeçar.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka votuar unanimisht më 21 dhjetor për të angazhuar vëzhgues në Jemen në mënyrë që të monitorohet armëpushimi.

Arabia Saudite dhe tetë shtete tjera arabe kanë intervenuar ushtarakisht në luftën civile të Jemenit më 2015, duke mbrojtur qeverinë e presidentit Abd-Rabbu Mansur Hadi, e cila është njohur ndërkombëtarisht, pasi rebelët huthi kanë fituar pjesën perëndimore të këtij shteti.

Koalicioni i udhëhequr nga sauditët ka fituar përkrahjen e Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës.

Megjithatë, pas raportimeve për vdekjen e pothuajse 10,000 personave, Perëndimi është kthyer kundër përfshirjes në këtë konflikt.