Egzona Mustafa do të drejtojë Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Mustafa është zyrtarizuar në krye të kësaj drejtorie nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.
Me këtë rast, Bulliqi ka thënë se të gjithë të vendosurit në krye të drejtorëve, sipas tij, janë profesionalë.
Egzona Mustafa është doktoreshë e Stomatologjisë, si dhe specializante e Ortodoncisë në QKSUK në Prishtinë.
Në një konferencë për medie, i pari i Podujevës, duke prezantuar drejtorët, ka thënë se nën qeverisjen e tij do të ketë transparencë e llogaridhënie.
“Synimi ynë është të kthejmë besimin e qytetarëve në institucione. Do të qeverisim me dije, guxim dhe pa arrogancë. Do të bashkëpunojmë me partitë opozitare. Do të jemi afër atyre që kanë më së shumti nevojë. Do të qeverisim pa e diskriminuar askënd. Në ekzekutivin tim kam kuadrin e ri e profesionale. Ashtu siç jam zotuar në fushatën zgjedhore që gratë dhe të rinjtë do të kenë hapësirën e nevojshme për të dëshmuar vetën në ekzekutiv, ashtu edhe kam vepruar”, ka thënë Bulliqi./Llapi.info






