Ngjashëm me deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati, se punëtorëve të arsimit s’do t’u jepen pagat për ditët që nuk punojnë, pati deklaruar edhe Avdullah Hoti, më 2015 sa ishte ministër i Financave në Qeverinë Mustafa.

Në një artikull të datës 29 prill të atij viti, Hoti ishte cituar të ketë thënë në televizionin publik se do të llogariten ditët në të cilat mësimdhënësit në vend janë në grevë dhe për atë periudhë edhe do t’u ndalen pagat.

“Ne do i llogarisim këto ditë dhe në fund të muajit do t’i alokojë më pak para për mësimdhënësit. Ditët e humbura në grevë nuk do të llogaritën punë”, citohet të ketë thënë Hoti në atë kohë. “Ne do të kujdesemi që në pagat e muajit maj do të zbriten ditët e humbura të punës sepse unë kujdesem për financat publike. Nuk mund të paguhet dikush që nuk punon”.

Hoti e pati quajtur të pakuptimtë grevën në arsim.

Atë kohë mësimdhënësit kishin hyrë në grevë duke mos mbajtur mësim për dy ditë, me arsyetimin se Qeveria s’e ka përmbushur marrëveshjen për pagesën e stazhit prej 0.5 për qind për secilin vit të përvojës. Ata hynë në grevë me gjithë një vendim të bërë publik nga Qeveria, se do të bëjë pagesat e stazhit, por në ditën kur kanë dalë listat, pagesat janë kalkuluar me pagat e vitit 2007, kur mësimdhënësit kishin pagat përgjysmë më të vogla, si dhe në lista nuk qenë përfshirë afro 10 mijë punëtorë të arsimit parauniversitar. Në ditën kur qenë shpërndarë këto lista, Kryesia e Sindikatës së Arsimit mori vendim për të hyrë në grevë të përgjithshme, pa afat dhe pa kompensim të ditëve të humbura në shkolla. E kësaj greve, me po të njëjtat kërkesa iu bashkuan edhe afro 400 punëtorë të administratës së UP-së. Greva pati zgjatur pak ditë deri në vendimin për pezullim kur i ishte dhënë Qeverisë një muaj afat për përmirësime.

Sikur deklarata e Hotit, të mërkurën dhe disa ditë më herët, ministri aktual Hekuran Murati u është përgjigjur grevistëve në sektorin publik. Në një konferencë për media, Murati bëri të ditur se grevistët nuk do të marrin pagë për ditët që s’punojnë. Ai njoftoi se për disa nga ta tashmë nuk është bërë fare ekzekutimi i pagave për muajin gusht dhe se atë do ta bëjë pas kompletimit të listave të grevistëve, të cilat Sindikata dhe drejtoritë e arsimit po hezitojnë t’i dorëzojnë.

Nga 25 gushti është nisur një grevë në sektorin publik. Grevistët po kërkojnë që të gjithë punëtorëve në këtë sektor t’u jepen nga 100 euro në muaj shtesë pagës, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

https://www.botasot.info/kosova/399341/kercenon-hoti-mesimdhenesve-do-tu-zbriten-pagat-shkaku-i-greves/