Lokale - eSIMy

Ish-deputeti Milaim Zeka është takuar me përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara kur këta të fundit kishin shkuar për të marrë dosjet, e pranuara dje, në zyrën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Zeka në Info Magazine të Klan Kosovës ka treguar se ai kishte shkuar në zyrën e OVL-së së UÇK-së për të njëjtën arsye sikur edhe përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara – për të marrë dosjet.

“Disa ditë më parë i kam thënë Nasim Haradinajt përmes telefonit se pse nuk po më jepni një kopje të dosjeve, derisa sot i thashë ‘Më prit, sepse po vi me i marr dosjet’. Të gjithë gazetarët kanë kërkesa dhe unë në mesin e tyre kam kërkesë”.

“Po t’i merrja dosjet dy gjëra nuk do të ndodhnin. Hetuesit e Tribunalit Special nuk mund dhe nuk duhet t’i marrin dosjet nga një gazetar. Unë kam qenë i akuzuar nga EULEX-i dhe kam qenë në proces gjyqësor për katër vjet. Më kanë ardhur 80 forca speciale pikërisht për të marrë dosje dhe kur kanë ardhur unë kam thënë që dosjet i kam dërguar në Suedi, jo që nuk i posedoj dosjet”.

“Të njëjtën gjë do ta bëja edhe tash. Po t’i merrja dosjet, nuk ka bir nane që merr dosje prej meje”.

Zeka ka thënë se dyshon se biseda e tij me Nasim Haradinajt është përgjuar përmes telefonit të këtij të fundit, derisa ka sqaruar takimin me hetuesit e Dhomave të Specializuara.

“20 minuta pasi unë u futa në shoqatë erdhën tre hetues pas meje. Më thanë që a bën ta di se kush je dhe më kë po bisedojmë. Unë u prezantova që jam gazetar dhe kam shkuar t’i marr dosjet. Madje, u deklarova hapur që kam qenë, jam dhe do të jem pro Gjykatës Speciale – deklaratë që shkaktoi polemikë te veteranët”.

“Gjatë bisedues, hetuesit e prokurorisë kanë thënë vetëm këtë gjë ‘Nuk e dimë nga kanë rrjedhë këto dokumente, kujt i takojnë këto dokumente’ dhe kanë thënë që ‘dokumentet janë shumë sensitive’. Nasim Haradinaj tha që po dyshojnë që ‘Dokumentet janë tuajat dhe kanë rrjedhë nga ju’.

Ai ka treguar gjithashtu se ka pasë edhe tone shumë të ngritura mes përfaqësuesve të OVL-së së UÇK-së në bisedën me përfaqësuesit e Gjykatës Speciale.

Sipas Zekës, OVL-ja e UÇK-së e ka bërë gjënë e duhur kur i ka dorëzuar videoincizimet e personave që kanë sjellë dosjet tek zyret e tyre.

“Unë iu thashë hetuesve që mendoj se OVL-ja është sjellë në mënyrë shumë korrekte me ju në momentin që ua ka dhënë videoincizimet e personave që kanë sjellë dosjet. Në momentin që e dorëzon videoincizimin nuk ke më asnjë borxh ndaj gjykatës ose hetuesve.

Zeka ka treguar se ai është larguar në mes të takimit të përfaqësuesve të OVL-së së UÇK-së dhe hetuesve të Gjykatës Speciale – takim që sipas tij është përcjellë me tension.

“Unë kam qenë brenda krejtësisht 30 minuta, pastaj jam larguar. U ndjeva keq, sepse kur thashë unë që kam qenë dhe jam pro gjykatës u acarua muhabeti mes meje, veteranëve dhe Nasim Haradinajt. Ata kanë vazhduar të qëndrojnë edhe i kanë marrë dosjet e sotme – që nuk kanë ndonjë peshë, sepse janë më shumë dosje të EULEX-it”.

Ish-deputeti Zeka e ka komentuar deklaratën e nënkryetarit të OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj i cili tha se “ nuk do t’i dorëzojnë dosjet pa praninë e gjykatave vendore ose Policisë së Kosovës”.

“Nasim Haradinaj i tha që nuk i dorëzoj këto, më pas i dorëzuan. Prokurorët e Gjykatës Speciale e kanë mandatin që qoftë përmes ushtarëve të KFOR-it të futen në zyrën e veteranëve të luftës. Nuk ma merr mendja që hetuesit e Gjykatës Speciale s’kanë pasë qëllim tjetër, përpos që të kryejnë obligimin e tyre për të marrë dosjet”.