Hysni Veseli, djali i axhës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është në listën e kandidatëve për noterë të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim, kanë bërë të ditur burime të “Kohës Ditore”.
Përveç Hysni Veselit, në listën e ngushtë të kandidatëve për noterë është edhe Artan Osmani, zyrtar tjetër i PDK-së në Degën në Mitrovicë, prej nga vjen edhe kryetari i kësaj partie, Kadri Veseli.
Në vitin 2014, Osmani ka qenë zëdhënës i PDK-së në Degën e Mitrovicës.
Gazeta ka raportuar për dhjetëra emra të lidhur me politikën, sistemin ose komisionin përzgjedhës të cilët e kanë kaluar testin me shkrim për noterë. Deri tani, “Koha Ditore” nga rreth 200 kandidatë, i ka identifikuar rreth 70 sish të cilët kanë këto lloj lidhjesh.