Ikjet e të rinjëve nga Kosova për në Kroaci, për të gjetur vende pune, duket se nuk kanë të ndalur, shkruan Gazeta Blic.
Mbrëmë rreth 30 të rinjë janë nisur për në qytete të ndryshme të Kroacisë. Shumica prej tyre ishin nga Podujeva, teksa sipas burimeve të Gazeta Blic, në autobusin e një kompanie nga Prizreni, kishte edhe të rinj nga qytetet e tjera të Kosovës.
Gazeta Blic, ka siguruar pamje afër pikës kufitare në Merdare, ku shumë të rinj pritnin që të bashkoheshin në autobusin që destinacion kishte Zagbrebin e Kroacisë.
Dy ditë më parë, nga Podujeva u larguan edhe 50 qytetarë. Që të gjithë shkuan në Kroaci me viza pune, për të punuar në sektorë të ndryshëm në shtetin i cili sikurse Kosova, në vitet e ’90 u shkëput me luftë nga Federata Jugosllave.
Sikurse edhe herave tjera, edhe mbrëmë, të larguarit u nisën në mënyrë të organizuar te kafja “Europa”, e cila është 500 metra larg pikës kufitare në Merdare që e ndanë territorin mes Kosovës dhe Serbisë.
Gazeta Blic, merr vesh nga burimet e saja, që edhe shumë të tjerë pritet të nisen ditëve në vazhdim.
Pamje nga nisjet e mbrëmshme të të rinjëve kosovarë drejt Kroacisë
Teksa rinia e Kosovës, po vazhdon të largohet nga Kosova, kryeministri Haradinaj, gjatë ditës së sotme, ka shkruar se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e papunësisë në Kosovë është ulur në 26.9% për periudhën Janar-Mars 2019 në krahasim me periudhën Tetor-Dhjetor 2018 që ishte 31.6%.
Sipas Haradinajt këto statistika tregojnë që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare.
“Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind” ka shkruar Haradinaj.
Sipas Kryeministrit, këto statistika tregojnë dëshmi për zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës.
“Këto statistika, janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend”.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Edhe ai përmes facebook-ut, ka thënë se deklarimi i kryeministrit nuk është i vërtetë.
Abdixhiku shtoi se për dy vjet në pushtet PAN ka humbur 36 vende pune në secilën ditë apo 24 mijë gjithësej.
“Jo Kryeministër! S’ka lajm të mirë në numrat e papunësisë. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në shtator të vitit 2017, ditën kur ju nisët punën në Qeverinë PAN, në Kosovë punonin plot 365 mijë qytetarë. Sot, pas dy viteve qeverisje PAN, sipas të njëjtës Agjenci, të punësuar janë vetëm 341 mijë kosovarë. Pra plot 24,000 vende pune më pak për dy vjet qeverisje PAN. Dy vjet politika nepotike partiake e shpërdorim parashë pa masë japin veçse një përfundim; për çdo ditë të PAN-it në pushtet, nga 36 vende pune humben në ditë – secilën ditë”, ka shkruar Abdixhiku.