Lokale - eSIMy

Një tjetër rast tronditës i dhunës në familje është raportuar në kryeqytet, ku një i ri në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj nënës dhe motrës së tij.

Ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2025, rreth orës 17:30, në rrugën “Hile Mosi” në Prishtinë, ku është raportuar rasti “Dhuna në familje”.

Ankuesja B. B. ka deklaruar se djali i saj, Bajram Brestovci 29-vjeçar, kishte kërkuar çelësat e veturës së bashkëshortit të saj. Kur ajo e ka vërejtur që ishte në gjendje të dehur, ka ngurruar t’ia japë çelësat, gjë që ka shkaktuar reagimin agresiv të tij.

I dyshuari ka filluar ta shajë nënën dhe më pas e ka goditur me një papuçe në krahun e majtë, ndërsa më pas ka sulmuar edhe motrën e tij, D.B. 33-vjeçare duke e goditur në shpinë kur ajo ka tentuar të ndërhyjë.

Fillimisht, i dyshuari nuk është hasur nga njësitë policore në vendin e ngjarjes, ndërsa viktimat nuk kanë pranuar tretman mjekësor.

Pas raportimit të rastit dhe konsultimit me Prokurorin Kujdestar për Dhunë në Familje, është iniciuar procedura penale dhe është dhënë urdhër për arrestimin e të dyshuarit.

Më datë 2 qershor, rreth orës 00:42, Bajram Brestovci është arrestuar nga Policia, i është sekuestruar liria dhe është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës. Prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim për 48 orë ndaj tij.

Hetimet janë duke vazhduar dhe rasti po trajtohet nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria Themelore.