Dhunimet janë rastet më të tmerrshme që po ndodhin në vendin tonë dhe në shumicën prej tyre viktima janë vajzat e mitura, të cilat shfrytëzohen e keqtrajtohen seksualisht. Ngjarje të tilla shpesh kryhen edhe në grupe, siç ka ndodhur me rastin e trishtë të 11-vjeçares në Prishtinë. Për një rast të tillë që është denoncuar sot në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, janë ndaluar dy persona, të cilët dyshohen se kanë kryer veprën penale “Dhunimi” vitin e kaluar, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar detaje tronditëse për këtë ngjarje ku viktimë është një vajzë e moshës 12-vjeçare, e cila ishte 11-vjeç, kur dy persona, po ashtu të mitur dyshohet se e dhunuan seksualisht.

Rasti është zbuluar pas denoncimit të viktimës dhe nënës së saj, e cila sot ia ka mësyrë Prokurorisë për të raportuar se dy të mitur, kanë abuzuar me vajzën e saj, në mars të vitit të kaluar. Dy të dyshuarit, njëri tash 18 vjeç, por në kohën kur dyshohet se e ka kryer veprën ishte 17, si dhe tjetri 15-vjeçar, me përdorimin e forcës kanë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e mitur.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë në Prokurori, rasti ka ndodhur në një tualet, kur dy të miturit ia kishin zënë pritën 11-vjeçares dhe duke ia mbyllur gojën për të mos kërkuar ndihmë, dyshohet se e kanë zhveshur dhe kanë kryer marrëdhënie seksuale me të, fillimisht njëri e pastaj tjetri.

Ky rast i tmerrshëm aktivizoi Prokurorin e Shtetit, për të nxjerrë vendim që të sigurohet prezenca e dy të dyshuarve, të cilët janë paraqitur për intervistim, ku gjatë dhënies së deklaratave kanë mohuar kategorikisht ta kenë kryer veprën penale për të cilën janë denoncuar.

Pas përfundimit të procedurave, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim që dy të dyshuarit, njëri prej të cilëve tash i mitur të dërgohen në mbajtje dhe të nisin hetimet për mbledhjen e informacioneve që zbardhin në plotni rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.