Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre.
Një rast i tillë është raportuar të hënën pasdite në Pejë, ku një djalë dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj nënës së tij.
Burime të besueshme nga Prokuroria Themelore në Pejë bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Mulla Agani”, ku B. L., rreth 27-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë verbale dhe psikologjike ndaj nënës së tij, R. L., rreth 60-vjeçare.
Sinjali mëson se rasti është raportuar nga djali tjetër i viktimës, i cili ka deklaruar se vëllai i tij po e ofendon nënën dhe po dëmton sende në shtëpi, duke e bërë situatën të padurueshme.
Pas raportimit, njësitet e hetimeve kanë intervistuar viktimën, dëshmitarin dhe të dyshuarin, ndërsa me urdhër të Prokurorit Kujdestar, rasti është inicuar si “Dhunë në familje”.
Lidhur me këtë 27-vjeçari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.






