Posedimi dhe përdorimi i armëve të zjarrit është shndërruar në dukuri negative në vendin tonë, pasi vazhdimisht hasen persona të cilët mbajnë me vete armë. E si pasojë, shumë shpesh ndodh që të ketë pasoja në njerëz, duke shtënë në drejtim të personave tjera, apo duke plagosur veten aksidentalisht.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në Drenas, ku një person i moshuar është vetëplagosur me armë zjarri, duke alarmuar familjarët dhe autoritetet.
Burime të Gazetës Sinjali nga personeli shëndetësor bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në rrugën “Sylë Bilali”, ku rreth orës 12:00 është pranuar thirrja për një vetëplagosje me armë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i plagosuri me armë është Kamer Morina, rreth 79-vjeçar, i cili kishte pësuar plagë në këmbën e majtë, si dhe mbi gju.
Mirëpo, me të marrë vesh rastin, në vendin e ngjarjes kanë dalur menjëherë Policia e Kosovës dhe mjekët e QKMF-së së Drenasit për të ofruar ndihmën e parë në vendin e ngjarjes, ndërsa më pas i moshuari është transferuar për në QKUK në Prishtinë, ku ndodhet aktualisht në trajtim. Sipas burimeve nga personeli mjekësorë, ai është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë, Policia në vendin engjarjes ka sekuestruar një armë zjarri artizanale pa numër serik, një tytë e modifikuar e armës, si dhe një gëzhojë e kalibrit 16 mm.
Lidhur me rastin, Prokurorin kujdestar, e ka iniciuar në drejtim të dy veprave penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”, dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Policia po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e vetëplagosjes dhe origjinën e armës.






