Policia e Vushtrrisë ka arrestuar sot dy persona nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të ngacmimit.

Të dyshuarit, një 19-vjeçar dhe një 17-vjeçar, dyshohet se kishin ndjekur me një automjet një femër nëpër rrugë të ndryshme të qytetit, duke i shkaktuar frikë dhe shqetësim.

Pas njoftimit për rastin, njësitet policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe, me urdhër-kontroll të marrë nga organet kompetente, kanë realizuar bastisje në banesat e të dyshuarve. Si rezultat, të dy janë arrestuar, ndërsa automjeti që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës është sekuestruar.

Policia ka bërë të ditur se këtij incidenti i ka paraprirë një konflikt i mëhershëm ndërmjet familjes së të dyshuarve dhe bashkëshortit të viktimës, rast që tashmë ndodhet në procedim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, ndaj 19-vjeçarit A.G. është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa i dyshuari i mitur, K.H., është liruar në procedurë të rregullt.