Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për bllokim të punimeve në rrugën nacionale Podujevë – Prishtinë, shkruan Llapi.info.

Tahiri në Kuvendin e Kosovës kritikat i ka drejtuar tek ministri Financave, Hekuran Murati, duke thënë se zyrtarë qeveritarë, sipas tij, kanë thënë se këto punime do të kryehen në dhejtor të vitit të kaluar.

“Ku është rruga Prishtinë-Podujevë, e keni bllokuar. Keni dalë në fushatë zgjedhore jeni bërë ‘gaz’. Tri herë është dalë zëvendësministri ka thënë kjo kryhet në dhjetor. Në vend se të diskutoni me argumente, ju theksoni se ne kemi lista të dëshirash. Unë s’kam listë dëshirash, s’kam nevojë kurrë për ty”, ka thënë Tahiri.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar ministri Murati i cili tha se janë të pavërteta ato që u ngritën nga deputeti Tahiri. Murati tha se për projektet kapitale nëpër komuna nuk ka bllokadë.

“Çka desha të sqaroj dhe argumentoj është se nuk ka bllokadë nga pushteti qendror ndaj pushtetit lokal. Përkundrazi ne kërkojmë nga ta që t’i kryejnë projektet sa më shpejt që është e mundur në mënyrë që ekzekutimi të bëhet sipas afateve të parapara. Sa i përket mbështetjeve shtesë me lista të projekteve e kuptoj që një praktikë e tillë mund të ketë funksionuar në të kaluarën kur ka pasi disa koalicione në qeveri dhe pastaj kryetarët e komunave që e kanë pasur ministrin e të njëjtës parti kanë shkuar me listë dhe janë miratuar projektet, kjo nuk ndodhë, të gjithë trajtohet barabartë”, tha Murati./Llapi.info