Dëshmitari Mustafë Sadiku, ka thënë se nuk e ndien veten të dëmtuar, pavarësisht se kishte dhënë para që djali i tij nga Kosova të emigronte ilegalisht në shtete evropiane.

Por, pasi që qëllimi ishte arritur, ky dëshmitar ka thënë se nuk e ndiejnë veten të dëmtuar nga veprimet e tani të akuzuarve për kontrabandim me migrantë, Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj.

Sadiku ishte ftuar nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në cilësi të dëshmitarit në rastin ku Krasniqi, Colaj dhe Ukshinaj akuzohen se duke vepruar si anëtarë grupi janë marrë me kontrabandim të migrantëve, në periudha kohore prej vitit 2016-2017.

Dëshmitari Sadiku, ka dhënë dëshminë e tij, në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë Bekimin e falënderoj se probleme djali jem s’ka pas e paret me zor nuk na i ka marrë për me qit djalin jashtë, hallall i kofshin edhe paret se vetën të dëmtuar se ndjejmë”, ka thënë dëshmitari Sadiku.

Ai duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Besa Limani, ka deklaruar se për rastin është në dijeni që djali i tij, kishte dal në Francë në mënyrë ilegale me ndihmën e të akuzuarit Krasniqi.

Sadiku tha se mbetet në tërësi pranë deklarimit të dhënë në polici, duke shtuar se njeh vetëm të akuzuarin Krasniqi dhe atë e kishte njohur para dy ose tre vitesh.

Sipas dëshmitarit, i akuzuari Krasniqi i kishte ndihmuar djalit të tij që të kalonte kufirin dhe tani ai gjendet në Francë dhe madje ka fituar të drejtën për të qëndruar në këtë shtet.

Sadiku ka thënë se i kishte dhënë 1700 euro, tani të akuzuarit Krasniqi, pasi që ai i kishte ndihmuar djalit të tij të dilte jashtë vendit.

“Djali më ka thirr edhe më ka thanë se ia ka borxh 1800 euro Bekimit që ka dal shnosh e mirë në Francë, e unë ia kam dhanë Bekimit këto të holla”, tha dëshmitari.

Ai tha se Krasniqi e kishte telefonuar dhe ishin takuar, ku sipas Sadikut ai i kishte dhënë të akuzuarit vetëm 1700 euro ,se 100 tjera nuk i kishte pasur.

Sadiku shtoi se i akuzuari Krasniqi i kishte thënë se “fal të qofshin 100 euro” dhe i kishte marrë vetëm 1700 euro.

“Unë si dëshmitar i këtij rasti nuk e akuzoj Bekimin, se djali jem ka pas me dal, ky i ka nimu, unë paret me zor si kom dhanë, në çfarë mënyre i ka ndimu se di, por nuk kërkoj kurrfarë kompensimi për këtë çështje”, tha Sadiku.

Ai tha se nuk është në dijeni sa para ka pasur djali i tij t’i jap të akuzuarit për këtë punë, por tha se e din vetëm për ato 1700 euro që i kishte dhënë vetë.

“Unë e kom dit se po don me dal jashtë në mënyre ilegale, në atë kohë jo vetëm djali im po krejt rinia janë angazhu për të dal jashtë, djali jem prej 2016 osht në Francë tash edhe i ka bo letrat”, tha Sadiku.

Ndryshe, ky gjykim ka nisur me një orë vonesë për shkak se avokati Ali Latifaj, i cili po mbronte sipas detyrës zyrtare të akuzuarin Krasniqi, nuk ishte paraqitur në seancë.

Gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni më pas ka kontaktuar Odën e Avokatëve, ku më pas në përfaqësim kanë dërguar avokaten Blerta Shyqeriu.

Në fund të shqyrtimit gjykatësja, njoftoi avokaten që do të obligojë kolegun e saj, avokatin Latifaj që ta pajisë atë me të gjitha shkresat e lëndës.

Në seancën e radhës, e cila do të mbahet më 12 shtator, në orën 09:30, pritet të dëgjohen tre dëshmitarë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2017, të akuzuarit Bekim Krasniqi, Zef Colaj dhe Miftar Ukshinaj akuzohen se duke vepruar si anëtarë grupi janë marrë me kontrabandim të migrantëve me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të dobisë financiare duke siguruar, poseduar dhe furnizuar me dokumente të rrejshme udhëtimi dhe duke mundësuar kontrabandimin me migrantë.

Sipas aktakuzës, prej muajit dhjetor 2016 deri në tetor 2017, i pandehuri Bekim Krasniqi duke qenë shofer i autobusit të kompanisë “Barileva Tours”, me seli në Podujevë, që mban linja të rregullta nga Kosova në shtetet e Evropës dhe duke i shfrytëzuar këta autobusë, ia ka mundësuar kalimin e migrantëve në kufirin Serbi-Hungari, përmes rrugëve ilegale duke i prezantuar pasaporta të ndryshme policisë dhe duke bashkëpunuar me ta në këtë drejtim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, të pandehurit Bekim Krasniqi dhe Zef Colaj kanë shfrytëzuar vetura me qira për t’i dërguar migrantët nga Kosova në Suboticë të Serbisë, kurse nga Serbia kanë shfrytëzuar autobusë që kanë linja të rregullta për shtetet e Evropës.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të dëmtuarit për këto shërbime paguanin mesatarisht nga 2000-3000 euro, për person.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Zef Colaj ka mashtruar migrantët duke iu marrë të hollat dhe duke iu premtuar atyre se do t’iu sigurojë viza në ndonjë nga ambasadat në Shkup, ndërsa i pandehuri Miftar Ukshinaj ka pasur rolin e gjetjes së migrantëve dhe marrëveshjes me ta rreth udhëtimit si dhe mbajtjen e parave si siguri.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se kanë kryer veprën penale “Kontrabandim me migrantë” nga neni 170 par.6 lidhur me par.2 të KPRK-së.