Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Tërrnavicë të Podujevës, ku një 47-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e sulmit kardiak. Sinjali mëson se rasti fillimisht u denoncua se i viktima ka humbur jetën pasi ishte aksidentuar. Por pasi Policia doli në vendin e ngjarjes, djemtë e të ndjerit deklaruan diçka tjetër.

Sinjali mëson se 47-vjeçari është dërguar në Emergjencën e Podujevës me autoambulancë, aty ku është konstatuar vdekja nga ekipi mjekësor. Ndërkohë, një patrullë policore ka marrë deklaratë nga njëri prej djemve të viktimës, të cilët kanë thënë se derisa ishin me babain, atij iu ishte keqësuar gjendja për shkak të shtrëngimit në gjoks.

Sipas tyre, babai nuk ka humbur jetën si pasojë e aksidentit, por xhaxhai i cili e kishte njoftuar në fillim Policinë, i kishte keqkuptuar.

Për t’i zbardhur rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, Prokurori ka dhënë urdhër që të intervistohet edhe djali tjetër, teksa trupi i pajetë të qëndrojë në QKMF, deri në marrjen e vendimit tjetër.