Brendi “Fiat” në Evropë do të reduktohet në disa modele të bazuara në linjën e modelit 500 të elektrifikuar dhe “Pandas”, kanë thënë zyrtarët e “Fiat Chrysler Automobiles”.

Ata po ashtu kanë konfirmuar edhe shtimin e modelit “500 Giardiniera” dhe shuarjen e modelit “Punto” e tërheqjen e modelit “Tipo” nga tregjet e Evropës.

“Hapësira për ‘Fiatin’ në Evropë do të ridefinohet në një hapësirë më ekskluzive”, ka thënë shefi ekzekutiv i “FCA”-së, Sergio Marchionne, gjatë shpalosjes së planit të biznesit të kompanisë në fillim të muajit qershor.

Ai ka thënë se kompanisë i duhet të largojë disa produkte që kanë pasur shitje jo të mëdha në tregje. “Rregulloret e ardhshme të Bashkimit Evropian për emetim të karbonit e vështirësojnë edhe më procesin e përfitimit në tregun në masë”, ka thënë Marchionne.