Dy zyrtarë të Komunës së Podujevës kanë rezultuar pozitivë për COVID-19, raporton Llapi.info.
Të konfirmuarit me virusin korona janë zyrtarë në dy drejtori të Komunës së Podujevës.
Këtë e ka konfirmuar për Llapi.info edhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani.
“Dy zyrtarë në Komunën e Podujevës janë konfirmuar më COVID-19. Njëri është në Drejtorinë e Arsimit dhe tjetri në Drejtorinë e Urbanizimit”, ka thënë Namani.
Ndërkaq, numri i rasteve me koronavirus është rritur javët e fundit në Podujevë. Për vetëm dy ditë, rreth 40 persona kanë rezultuar pozitivë.
Që nga sonte, do të nisë edhe ora policore edhe në Komunën e Podujevës. Sipas vendimit të Qeverisë, nga ora 22:30 deri në ora 05:00 ndalohet qarkullimi.
Sot edhe 239 raste të reja me virusin korona janë regjistruar në Kosovë, pas testimit të 401 mostrave nga IKSHPK-ja. Nga këto raste, 14 janë nga Podujeva./Llapi.info






