Gjykata Themelore e Gjakovës ka dënuar me dy vjet e nëntë muaj burgim efektiv të akuzuarin A.G. shtetas i Shqipërisë, për një seri vjedhjesh të rënda në objektet fetare në rajonin e Gjakovës.

I akuzuari A.G. është shpallur fajtor për tri vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe është dënuar me dënim unik, me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) vite e 9 (nëntë) muaj ku në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 17 shtator 2018.

Sipas Gjykatës, A.G. me datë 28 dhjetor 2016 në fshatin Duznje të Gjakovës, në objektin fetar tyrbja e “Babës Danë” kishte vjedhur një sasi të parave të cilat janë tubuar nga besimtarët (nezrat). I njëjti prapë me datën 15 shtator 2018 në orët e vona pas mesnate është futur me forcë në tyrben e “Shejh Rama” dhe tyrbes së “Babës Danë”.