Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, dje janë shënuar dy raste të dhunës ndaj familjes, më saktësisht ndaj grave.
Njëri rast ka ndodhur në Graçanicë, në një familje serbe, ku burri ka sulmuar dhe rrahur bashkëshorten, ndërsa rasti tjetër në Prishtinë.
“Viktima femër K/serbe, ka njoftuar se është sulmuar dhe rrahur nga bashkëshorti i sajë mashkull K/serb. Viktima ka marrë tretman mjekësor, kurse i dyshuari pasi ishte në ndikimin e alkoolit (1.77 promil) me vendimin e Prokurorit , ndalohet në lokalet e stacionit Policor deri në vetëdijesim. Rasti është iniciuar dhe mbetet nën hetime”, thuhet në raportin e Policisë.
Gjithashtu, në raportin e Policisë thuhet edhe se “është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, me problem psikike, pasi që i njëjti fillimisht kishte dëmtuar dyert e shtëpisë e më pas kishte sulmuar fizikisht gruan e tij viktimën femër K/Shqiptare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes”.






