Dy punëtorë shëndetësorë në Podujevë janë konfirmuar pozitivë me virusin korona, raporton Llapi.info.
Këtë për Llapi.info e ka konfirmuar epidemiologia dhe anëtarja e shtabit emergjent në Podujevë, Bedrie Rama.
“Dy punëtorë shëndetësorë në QKMF-në e Podujevës kanë dalë pozitivë me COVID-19. Njëri është mjek specialist dhe tjetri infermier. Burimi i infeksionit te të dytë është lidhje familjare dhe jo tek vendi i punës. Të njëjtit kanë qenë në pushim vjetor”, ka thënë Rama.
Aktualisht në Podujevë janë aktivë me virusin korona 112 qytetarë. Përveç 15 rasteve të reja, sot janë shpallur të shëruar edhe 15 pacientë.
Që nga shpërthimi i koronavirusit në Kosovë, deri më tani në Podujevë pozitivë kanë rezultuar 249 persona. Prej tyre, 8 pacientë tashmë kanë ndërruar jetë dhe që të njëjtit kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese./Llapi.info





