Nga stuhia në Prishtinë, që rrëzoi lisa e shtylla, mbeti i vdekur një djalë rreth 30 vjeç. Vajza e lënduar në Pejton ishte e së njëjtës moshë. Ajo po trajtohet në QKUK.
Pak minuta pasi nisi një stuhi në kryeqytet, në qendër janë rrëzuar drunj e shtylla, të cilat kanë bllokuar qytezën e Pejtonit.
Në këtë pjesë të qytetit, një lis i madh që kishte rënë në rrugë zuri përfundi një burrë e një grua të moshës rreth 30-vjec.
Sipas informatave që në Policinë e Kosovës ia kanë dhënë Gazetës Express, burri ka vdekur, ndërsa vajza gjendet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim.
“Rreth orës 15:15 është pranuar informata se një lis është rrezuar dhe ka zënë dy persona. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informatat e para janë ngritur dyshimet se njëri nga të lënduarit mashkull, rreth 30 vjeç ka humbur jetën përderisa e lënduara tjetër femër poashtu rreth 30 vjeç është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.
Gazeta Express më parë ka publikuar pamje nga Pejtoni, ku shiheshin rrugët e bllokuara dhe qytetarë që po provonin t’i ndihmonin personat e zënë nga lisi.






