Lokale - eSIMy

Kur dija, përkushtimi dhe ambicia i kalojnë kufijtë!

Nga studimet universitare dhe përvojat ndërkombëtare, drejt një kapitulli të ri profesional në Gjermani; kjo është historia e dy ish-studenteve tona të dalluara, motrave Blerina dhe Lorika Kodraliu, të cilat sot po zhvillojnë karrierën e tyre në dy kompani ndërkombëtare.

Të dyja kanë përfunduar Bachelorin dhe Masterin në universitetin tonë, kanë qenë studente të dalluara dhe bursiste, si dhe janë vlerësuar me mirënjohje për rezultatet e tyre të shkëlqyera akademike.

Blerina Kodraliu, e diplomuar në Inxhinieri dhe Teknologji Ushqimore, gjatë studimeve përfitoi nga programi Erasmus+, duke realizuar dy shkëmbime akademike në Bullgari dhe Itali. Sot, ajo është pjesë e Takeda në Gjermani, një kompani farmaceutike globale, e cila në Gjermani ka një nga qendrat e saj të rëndësishme për prodhimin e vaksinës kundër Dengue.

Lorika Kodraliu, e diplomuar në Inxhinieri Ekonomike, sot është pjesë e ACE Advanced Composite Engineering, kompani e specializuar në teknologjitë e avancuara të materialeve kompozite, që bashkëpunon me marka prestigjioze të industrisë automobilistike, përfshirë Porsche, Lamborghini dhe Audi.

Dy motra. Dy profile inxhinierike. Dy rrugë profesionale. Një histori suksesi që nisi në universitetin tonë dhe sot vazhdon përtej kufijve.

Arritjet e tyre janë dëshmi se përkushtimi akademik, puna e vazhdueshme dhe shfrytëzimi i mundësive gjatë studimeve mund të hapin dyer përtej kufijve dhe të krijojnë mundësi për një karrierë ndërkombëtare.

Njëkohësisht, rrugëtimi i tyre le të shërbejë si frymëzim për studentët tanë, për të besuar në potencialin e tyre, për të synuar lart dhe për të shfrytëzuar çdo mundësi për zhvillim akademik e profesional. Suksese të tilla janë jo vetëm arritje personale, por edhe krenari për universitetin tonë, i cili sheh studentët e tij të diplomuar të ecin përpara dhe të dëshmojnë vlerat e tyre në arenën ndërkombëtare.

Urime Blerinës dhe Lorikës për rrugëtimin e deritanishëm dhe shumë suksese në kapitujt që i presin!