Ekipi nga Podujeva, KF Llapi ka pësuar humbje në udhëtim te Ballkani me rezultat 1-0, raporton Llapi.info.

Nikoqirët dominuan në pjesën e parë të zhvilluar në Suharekë, teksa golin e gjetën pas 30 minutave lojë. Ishte Blendi Baftiu që realizoi për zhbllokimin e rezultatit.

Në fund të pjesës së parë, dy lojtarë nga secila skuadër u ndëshkuan me karton të kuq, pas një përleshje verbale dhe fizike, e në të cilën u përfshinë edhe lojtarë dhe zyrtarë të tjerë. Sulmuesi i Llapit, Ahmed Januzi u përjashtua nga loja si dhe Kreshnik Gashi i Ballkanit.

Pjesa e dytë u karakterizua me disa raste shënimi. Fillimisht vendasit rrezikuan me anë të Armend Thaçit dhe Visar Berishës, por gjuajtjet e tyre u pritën nga ‘gardiani’ i Llapit, Marijan Coris. Rastin më të mirë për llapjanët e patën në minutën e 73’, por që shtylla ia mohoi golin Valmir Veliut.

Llapi mbeti me nëntë futbollistë në fushë në minutën e 86’, pasi Elvis Prençi u ndëshkua direkt me karton të kuq, pas një ndërhyrje në Mevlan Zekën. Me rezultat 1-0 në të mirë të vendasve u mbyll ndeshja dramatike në Suharekë.

Pas kësaj humbje, Llapi vazhdon të jetë në pozitën e pestë me 39 pikë të tubuara, ndërkohë që Ballkani kryeson në tabelë me 67 sosh.

Në xhiron e radhës, Llapi pret në “Zahir Pajaziti” Prishtinën, kurse Ballkani i shkon Drenicës./Llapi.info