Përmbledhi: Gani Mehmeti

                Dvorishta si fshat nuk gjendet në regjistrin e vitit 1455 e as në regjistrimet tjera, prandaj konsiderojmë se ai ka qenë deri vonë në kuadrin e fshatit Pollatë, ashtu siç ka mundur të ishte edhe vetë fshati Potok. Dvorishta nis diku në kilometrin e 22 në veriperëndim të Podujevës dhe bën pjesë në Grykën e Mavriqit. Një kohë, thuhet, se ka qenë qytet, pa e përcaktuar kohën. Kur Dvorishta ka qenë qytet, ai ka qenë deri në Kralefc të fshatit Pakashticë[1], pra që ka përfshirë edhe fshatin e sotëm Pollatë, Repë e Metehi të Llapit dhe, thuhet se macja ka ecur mbi pullaze të shtëpive nga njëra shtëpi në tjetrën pa zbritur fare në tokë, që nënkupton dendësinë e shtëpive atë kohë.

Dvorishta, si dhe krejt Llapi, një kohë ishin të pabanuar. Thuhet se kishte rënë një borë e kuqe, e cila borë  vendin e kishte mbajtur nën të për një kohë të gjatë, diku tri vjet[2].

Dvorishta kufizohet me Sllatinën në veri me Serbinë në lindje, pastaj me Potokun në jug dhe me Pollatën nga jugperëndimi deri  në perëndim, ndërsa me ish vendbanimin Kokorovicë në veriperëndim. Deri më tani nuk është bërë kurrfarë hulumtimi.

Dvorishta nga jugu në veri është e hapur përmes Grykës së Mavriqit dhe lumit të Sllatinës, ndërsa nga lindja dhe nga perëndimi ka kodrina të larta dhe duket sikur të jetë një luginë e thellë. Kodrat në lindje janë të gjata dhe ka disa sosh që shkojnë drejt kufirit me Serbinë, duke formuar disa lugje, përrenj e përroska e pas tyre shtrihen livadhe dhe kullosa të begatshme për kafshët, shpatet e të cilave janë me male vende-vende të larta, po vende-vende me shkurre, kryesisht të drurit bungu. Ndërkaq, në perëndim të fshatit kodra është shumë e lartë dhe  vjen në vijueshmëri nga Pollata e shkon deri në Sllatinë e sillet jugut të Reçicës. Ky fshat ka një sipërfaqe nën mesataren e fshatrave të trevës së Llapit, vetëm 5,5 km katrore, ose 554,38,98 hektarë. Si tokë pakëz më pjellore është ajo që shtrihet në të dy anët e lumit të Sllatinës.

Mirëpo, siç duket, një kohë ishte i pabanuar. Fshati nën sundimin serb bie në shekullin XIII dhe ishte pjesë përbërëse e Pollatës që e quajtën Dvorishtë. Popullsia është e fisit Sop dhe janë në afri gjaku me Demë Ahmetin. Më 1948 kishte 311 banorë, kurse më 1981 kishte 293 banorë[3]. Në dokumentet e shkruara për herë të parë përmendet  në regjistrin e manastirit  të Deviçit në vitin 1763 – 1789.

Me emrin Idorishte dhe Ajdorishta është e regjistruar  në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318)[4].

Sipas një harte etnografike të fundshekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ky vendbanim me emrin Zlatna –Mavrik kishte 27 shtëpi shqiptare[5].

Po shihet se sipas vitit të regjistrimit për herë të parë kemi tek në vitin 1893. Do të thotë se edhe Dvorishta nuk është përfshirë si fshat i regjistruar më 1455.

Shënimet statistikore:

Më 1913 kishte 168 banorë;

më 1921 kishte 178 banorë në 25 shtëpi;

më 1948 kishte  50 shtëpi me 331 banorë;

më 1953 kishte  53 shtëpi me 366 banorë;

më 1961 kishte 50 shtëpi me 379 banorë shqiptarë;

në vitin 1971 kishte 40 shtëpi me 346 banorë (345 shqiptarë, ndërsa 1 tjerë);

në vitin 1981 kishte 43 shtëpi me 293 banorë (292 shqiptarë dhe    1 serb).

Ky vendbanim në fillim të vitit 1999 kishte 25 shtëpi me 225 banorë. Nga sulmet ushtarake  e policore serbe mbi këtë trevë, në këtë fshat janë djegur  28 shtëpi dhe objekte tjera ndihmëse e ekonomike. Popullata më 27 maj 1999 një kohë ishte strehuar nga pushtuesit në fshatin Metehi[6].

Diku rreth viteve të 1970-ta, duke e hapur një bunar për ujë të pijes Nuhë Kosumi, i biri i Veliut, gjen një çekan, një kalanicë dhe disa hunj gardhi në thellësinë prej 4-5 pashësh[7], do të thotë diku prej afër shtatë metrash. Në truallin e vendosur të shtëpive të Ilazëve, thuhet se janë gjetur varreza shumë të vjetra. Ashti  i gjetur nga gjuri e poshtë, njeriut të sotëm i ka ardhur deri në shpatulla, çka do të thotë se kanë qenë njerëz shumë më të mëdhenj se që jemi ne sot[8].

Dvorishta sot do të kishte 154 shtëpi, por nga të 154, vetëm 33 shtëpi jetojnë në Dvorishtë, ndërsa 121 shtëpi (a familje) janë shpërngulur prej fshatit.

Fshati nën sundimin serb bie në shekullin XIII dhe ishte pjesë përbërëse e Pollatës dhe e përkthyer si  Dvorishtë. Popullsia janë në afri gjaku me Demë Ahmetin. Më 1948 kishte 311 banorë, kurse më 1981 kishte 293 banorë. Shumë banorë janë shpërngulur në Podujevë dhe fshatra të Llapit, por edhe në Prishtinë[9].

Përqindja e të zënëve me punë jashtë Kosovës është e përafërt mes atyre që janë edhe sot në Dvorishtë dhe atyre që e kanë lëshuar atë. Shtimi i natalitetit është ca më i lartë në Dvorishtë, por ai ka rënë dukshëm tek të gjitha familjet edhe në fshatra e edhe në qytete.

 

 KOSUMËT

Kosumët janë pasardhës të vëllait të Demë Ahmetit, Hasanit të Ahmetit.

Shikuar për nga shtimi i numrit të popullsisë, edhe Kosumët nuk janë shtuar shumë në krahasim me pasardhësit e Demë Ahmetit. Shkaku dihet. Hasani, vëllai i Demës, kishte lënë vetëm një djalë – Hajdarin, ndërsa edhe Hajdari e kishte pasur vetëm një djalë – Kosumin. Ndërkaq, Kosumi edhe pse i kishte pasur gjashtë djem, dy prej tyre nuk kishin lënë trashëgimtarë. Dy të tjerë kishin lënë vetëm nga një djalë, do të thotë vetëm sa për të mos u  “shkymë hisja” e tyre, e vetëm dy prej tyre kishin pasur njëri pesë e tjetri gjashtë djem. Këtu është shkaku i mos shtimit të madh të pasardhësve të Kosumëve.

Në tabelën e sipërme shihet se ku jetojnë sot pasardhësit e Kosumëve të Dvorishtës. Kemi 38 familje gjithsej, por vetëm pesë prej tyre jetojnë sot ende në Dvorishtë, ndërsa 29 familjet e tjera e kanë lëshuar atë, vetëm në mungesë të kushteve për jetesë, jo me dëshirën e tyre. Shumica syresh janë vendosur në Bajçinë, aty ku e kanë, sado kudo, pak më afër fshatin, prej të cilit erdhën këtu – Dvorishtën. Pastaj 7 familje janë vendosur në Podujevë, 6 familje në Dumnicë, nga katër familje i kemi në Prishtinë dhe Stanovc, derisa vetëm një familje është vendosur në Fushë Kosovë.

Sa i përket shkollimit gjendja është si më poshtë: 143 janë me shkollë fillore, 66 me shkollim të mesëm, 5 me shkollë të lartë, 8 me fakultet, 3 studentë, 5 analfabetë dhe 30 fëmijë të moshës parashkollore. Jashtë Kosovës është numri mjaft i lartë  i Kosumëve. Sipas numrit të banorëve, na del se  32.3 për qind janë jashtë; numri i meshkujve është dukshëm më i lartë se sa i femrave – 142 meshkuj, ose 54.6 për qind janë meshkuj, ndërsa femra janë 118, për 24 më pak, ose vetëm 45.4 për qind.

Mbajnë dy mbiemra: Kosumi dhe Rrahimi. Sikur janë shtuar barabar familjet e të dy mbiemrave në bazë të shtëpive – i kemi nga 19 familje për të dy mbiemrat. Gjithë pasardhësit e Rrahimit  të Kosumit morën mbiemrin Rrahimi, ndërsa gjithë të tjerët mbajtën për mbiemër Kosumi.

Fshati Dvorishtë, shtrihet në rrëzë të Kodrës së Gatë. Lagja e Kosumëve

 

Trungu i Kosumëve me mbiemrin Rrahimi

 

 

Trungu gjenealogjik  i Kosumëve me mbiemrin Kosumi, Dvorishtë

 

 

Tabela nr. 18 . Pasardhësit  të Kosumëve të Dvorishtës sipas vendbanimit të sotëm të banorëve

 

Lagjja dhe vendbanimi i

sotëm

Shtëpi

 

 

 

M

 

 

F

Gjithsej Me fillore Të mesme Të lartë Fakultet Studentë Autodidakt Analfabetë    Fëmijë Jashtë vendit
M F GJ
Dvorishtë 5 20 23 43 29 4           10 5 1 6  
Bajçinë 11 46 33 79 42 17 2 4 1   4 9 18 11 29  
Podujevë 7 36 21 57 31 19 2 1 1   1 2   1 1  
Dumnicë 6 15 19 34 15 14   1       4 12 14 26  
Stanovc 4 12 9 21 12 4   1 1     3 1   1  
Prishtinë 4 9 9 18 10 5   1       2 8 5 13  
Fushë Kosovë 1 4 4 8 4 3 1           4 4 8
Gjithsej 38 142 1118 260   143 66 5 8 3   5 30 48 36 84

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PASARDHËSIT  E  LAGJEVE TJERA TË DVORISHTËS

Me fjalën “Dvorishtëve të tjerë” kuptojmë gjithë banorët e lagjeve të këtij fshati që nuk i takojnë lagjes Kosumi, e cila lagje është pasardhëse e vëllait të Demë Ahmetit – Hasanit. Disa lagje janë të vogla e disa më të mëdha, por, përveç Revuçëve, të gjitha janë pasardhës të një Shabani, prej të cilit kanë dalë djemtë e tij e prej këtyre djemve, janë formuar lagjet  e tjera. Prandaj, që të dallohen nga Kosumët drejtpërdrejt, i kemi quajtur Dvorishtë të lagjeve tjera. Ndoshta edhe e kam gabim këtë, por duhet të kuptojmë, se, ashtu siç kemi shkruar më lart të gjithë janë të një fisi dhe në lidhje gjaku të afërm  njëri me tjetrin.

Dvorishta e ka bajraktarin e vet. Diku në luftërat turko-greke apo Turko-Ruse kishte treguar heroizëm të pashoq një Rrahmani i Hysenit, i  pari i tyre  që e ka trashëguar Bajrakun, të mbajtur deri në ditët tona. Pasardhës të kësaj familjeje sot është Hamdi Rrahmani, familje,  që  nuk është shtuar shumë. Vetëm Hamdiu i ka katër djem, për dallim nga të parët e tij që kishin vetëm nga një trashëgimtar. Dvorishtët e tjerë, përveç pasardhësve të Kosumëve, janë pasardhës të drejtpërdrejt të Shabanit. Këtë e kemi marrë që me 16 dhjetor 1979 nga goja e tetëdhjetëvjeçarit të atëhershëm, Ismail Rrustemit, gjyshi i të cilit e kishte gjysh Balën e Shabanit. E Ismaili thoshte se Bala ndjehej shumë i afërt me Manin e Pollatës, dhe ishte nip i Manit. Nëse kjo do të ishte kështu, atëherë na del se të gjithë djemtë e Shabanit janë nipër të Man Pollatës. Dhe, nga kjo del diçka, mbasi të gjithë janë të një fisi. Shabani konsiderohet të ketë qenë vëlla i Manit, por, me gjasë një vëlla  shumë më i ri, i cili, aso kohe nuk ka pasur një zë dhe nuk ka qenë i njohur shumë, sepse vëllai i madh ka qenë në skenë në të kaluarën, ashtu sikur nuk i dëgjohej emri të birit deri sa ishte gjallë babai.

Shabani kishte Balën, Aliun, Asllanin dhe Ahmetin.

Bala pati Beqirin e Tahirin, i quajtur si Tahir Koburja, mbasi ishte marrë me të, me armë. Tahiri  pati Nezirin, Salihun dhe Rrustemin. Si lagje, njihej lagja e Balës, por edhe e Tahirit, madje si lagja e Koburovitëve, jo e Tahirit. Por quhej Tahir Koburja. Pasardhësit e Baslës janë shtuar  shumë më tepër se pasardhësit e  djemve tjerë të Shabanit.

Pasardhësit e Nezirit morën mbiemrat: Sylejmani. I kësaj lagjeje ishte edhe Ukë Mavriqi. Salihu, morën mbiemrin të gjithë pasardhësit e tij, si djali i dytë i Tahir Kobures. Nga pasardhësit e Rrustemit morën dy mbiemra: Rrustemi, në emër të djalit të tretë të Tahir Koburës, por edhe mbiemrin Deliu e morën në emër të djalit të madh të Rrustemit. Pak familje morën për mbiemër edhe në emër të djalit të dytë të Rrustemit – Fejza.

Në Dvorishtë nuk kemi mbiemrin Aliu, që është djali i dytë i Shabanit. Pasarsdhësit e këtij kanë marrë për mbiemër emrat e djemve të Aliut. Kështu kemi mbiemrat Arifi, Latifi, Rrahmani. I kësaj familjeje, pikërisht pasardhës i familjes Arifi, me gjasë ka qenë Bell Mavriqi, të cilin e hasim tek kënga e Hasimes[10].

Pasardhësit e morën për mbiemër  emrin e birit të Asllanit, Bahtiri dhe emrin e nipit të Asllanit, Halili.

Lugshtaja e Dvorishtës dhe Shalët e Sllatinës. Këtu janë përfshirë fshatrat e Mavriqit, përveç Pollatës: Potoku, Dvorishta, Sllatina dhe në krye Reçica, ndërsa  ai kepi në anën e majtë, është kepi i Uglarit.

Trungu gjenealogjik  i gjithë Dvorishtëve tjerë. Edhe këtu, sikur tek babai i Demë Ahmetit, që është  Shabani, edhe këta janë të Shabanit! Lë vend për të menduar se sikur janë djemtë e Shabanit këta dhe Ahmeti, babai i Demës!?

Trungu i Dvorishtëve me mbiemrin Sylejmani[11]


Trungu i  pasardhësve të Tahir Kobures në Dvorishtë

 

 

Lagja  Aliu e Dvorishtës me mbiemrat:  Arifi, Rrahmani e Asllani

 

Pasardhësit e Bahtirit, mbajnë emrin e tij për mbiemër, ndërsa pasardhësit e Jasharit, mbajnë për mbiemër emrin e Jasharit.

 
Adem Bahtiri, këngëtar                         Fadil Bahtiri majtas, Adem Halili në mes,

Para 40 vitesh, 13.I.1977                   Gani Mehmeti djathtas, 14. I. 1977, Dvorishtë

 

ORI E MIRË RRI N’QAT KULLË

 

Ori e mirë rri n’qat kullë

Pash Allahin a s’um bo kabull

Jashtë kopil, hiqmu dere

Ta dhash besen, ma pe sherrin

Ta vras qenin, ta djeg qilerin

Ta vras burrin, ta fiku deren.

Hajt kopil, Zoti t’rritë,

Pat qef Dada me u mahitë !

Turr, ka ba, m’ka marrë ngryk

M’ka shtërngue, desh m’ka mytë!

Këndoi Adem Halili, Dvorishtë

 

MAVRIQËT  (DVORISHTËT) E  LLAUSHËS

Se ka Mavriqë në Llaushë të Llapit, pak është ditur. Këtë, me gjasë e ka ditur një numër shumë i vogël nga banorë të trevës së Llapit. “Zbulimi” i tyre ka ardhur shumë rastësisht. Po të mos e kisha nxënësen Leonorë Mavriqi nga Dumoshi, unë nuk do të kisha mundur të vijë fare deri tek ky “zbulim” përkrye asaj se me një të këtillë Mavriq unë punoja me vite, ndërsa njihemi me dhjetëvjetësha më herët.

Prandaj, vetë mbiemri Mavriq më shtyri dhe  “gjeta” këta Mavriq nga Dumoshi, pastaj më qiti në lidhje me ata në Llaushë, pse ata vetë kishin lidhjet e tyre të gjakut. Në Dumosh kemi vetëm një familje dhe me mbiemrin Mavriqi, por Mavriqë të Llaushës na dolën plot 34 familje, shumica syresh të shpërngulur në Podujevë dhe me mjaft intelektualë.

Bajrami Mavriqi i Dumoshit nuk dinte shumë gjëra. Ai vetëm më orientoi tek kushërinjt e tij, që tani jetojnë në Llaushë. E, meqë unë punoj me profesorin Hilmi Kadriu,  ai më orientoi tek kushëriri i tij – Bahtiri. Bahtiri thot se janë me gjenezë të  dale nga Mavriqi të parët e tyre. Ishte ndarë nga ta mbasi kishte migruar diku në fshatra të Orllanit e nga atje ishte vendosur në Dumosh. Kjo familje i është bashkangjitur në regjistrim  dhe në trung vëllazërisë me Mavriqët e Llaushës.

Edhe Mavriqët e Llaushës nuk dinë se me kë janë më të afërm në Mavriq. Tahiri, i pari i tyre,  kishte qenë Çaush i mbretit 25 vjet në Mavriq. Tahiri ishte i drejtë, atdhetar e në vend se t`i luftonte kaçakët që po luftonin kundër mbretit, ky po i përkrahte e po i ruante  që të mos i zinte mbreti dhe njerëzit e tij. Po, dikur dikush kishte thënë se Tahiri  dinte për kaçakët, por nuk po i tregonte. Në një rast e kishin rrethuar Ali Jahollin e Dumnicës. Në Petërkovë e sheh mirë Tahiri kur hyn Aliu. E gjen të mbuluar në dushk, ia prek edhe të mbathurat prej lëkure me rrathë, por nuk e nguc. Edhe Aliu nuk bëzan  i kishte rënë ta shpëtonte një herë edhe Osman Pollatën.

I pari i Mavriqëve të Llaushës nuk dihet se kur u largua nga Mavriqi. Nuk dihet saktësisht se me kë janë më të afërm. Tahiri, deri ku ata dinë të tregojnë se ishte i pari i tyre, me gjasë ishte nga Dvorishta, i lozës së Ukë Mavriqit, por, kjo vetëm supozohet. Tahiri ishte një oficer në kohën e Perandorisë Turke.  Si oficer i asaj kohe, me detyrë  vendoset në fshatin Deshishk të Toplicës.  Në kohën e shpërnguljeve të shqiptarëve nga Toplica (Sanxhaku i Nishit) edhe Tahiri me familje largohet nga ky fshat. Pushteti otoman e vendos Tahirin te Kulina afër Plepave të Vranidollit, mirëpo, kishin kundërshtuar banorët përreth. Në këtë rast, edhe Tahiri, nuk donte të vendosej aty ku nuk pritej mirë nga  vendësit, prandaj nuk ngul këmbë dhe vendoset në vendin e quajtur Te Vijat, vend në territorin e Llaushës së Poshtme, shumë afër me Bajçinën. Ky vend aso kohe ishte i lirë, i pabanuar. Në Llaushë po shërbente si Zapti i mbretit.  Këtu, zapti ishte edhe Osman Breca. Ndërkohë, ftohen zaptitë ta rrethonin Shaqir Igrishtën. Tahiri, prap vazhdon me atë të veten, nuk donte t`i bënte keq askujt dhe nuk merr pjesë në rrethim, por, mbasi ishte në dijeni, ai i drejtohet Shaqir Igrishtës: “Të lutem, çohu, nesër mos u gjend  këndej!”

O Tahir, përtej shpie s’kam ku me  shkue,

Une shpinë s’muj me e lshue

E kam menen me luftue!

–   Mos, bre Sheqir! – i thot Tahiri..

– Jo, s’ka tjetër! – ia kthen Sheqiri.

 

Tahiri, megjithatë, nuk ishte përzie  në rrethimin e Shaqir Igrishtës. Ai ishte fqi, dhe, fqiu duhej ruajtur. Ai nuk po donte shpërblime nga turku si zapti që ishte. Në kohën pas vitit 1912, vendi ishte i mbushur me kaçakë. Edhe këtë kohë, si edhe para vitit 1912, Tahiri nuk po  paraqiste  tek pushteti ata që kishin ngritur krye kundër pushtetit. Ai kishte përkrahur në heshtje Osman Pollatën si dhe nuk e kishte kapur Ali Jahollin, e siç u pa, nuk kishte marrë pjesë as në rrethimin e Shaqir Igrishtës. I kësaj familjeje është gjuhëtari, profesori e poeti, tani i ndjerë, Kadri Kadriu, i cili e kishte ditur bukur prejardhjen e tij, por nuk e kishte përhapur. Nga kjo familje kanë dalë mjaft intelektualë të profesioneve të ndryshme, ku dominon ai për arsimimin e brezave të rinj.

Trungu i Mavriqëve të Llaushës.

Këta mbajnë tre mbiemra sipas tre djemve të Manit :

Zymeri që është djali i Tahirit, Kadriu, ndërsa Mavriqi pasardhësit e Manit të Manit.

 

 

 

XHYLAKËT

                Këtu mund të themi se puna është paksa e ngatërruar. Në njërën anë thuhet se Xhylakët janë të afërm me Dvorishtët, e,  në anën tjetër, se janë më të afërm me Manovitë e Pollatës. Thuhet se i pari i Xhylakëve ishte nip i Man Pollatës. Madje, siç thuhet, Mani i kishte dhuruar Shabanit 300 desh që ka pranuar të rrinte në Dvorishtë, pa i hyrë në hise Manit në Pollatë.

Xhuli, me gjasë e kishte pasur emrin Ali(!), por e kishin quajtur Xhuli a Xhyli. dhe nga kjo u quajtën Xhylak.

Kjo vlen vetëm për pasardhësit e Halitit, apo të Aliut të Ukës, por, meqë Haliti (apo Aliu) ishin vëllezër me Manin, nuk ishin ndarë nga nofka (epiteti) Xhylak. Haliti (Aliu) i Ukës kish qenë i vogël, po si i vogël i kishin thënë Xhul, Xhul në shenj përkëdheljeje dhe pastaj kështu i kishte mbetur[12].

Këtu ndahen edhe nga mbiemrat: Pasardhësit e Manit të Ukës thirren me mbiemrin Zymeri[13]

Vetëm një degë e këtyre janë pasardhës të Xhylakëve, pra të Xhulit, jo të gjithë, por duke qenë të afërm, nuk i ka ndarë populli, prandaj të gjithë janë quajtur me atë emër. Pasardhës të Xhulit konsiderohen vetëm ata me mbiemrin Imeri dhe Selimi, jo edhe ata me mbiemrin Zymeri. Zymeri ishte i vëllai i Xhulit. këta identifikohen me këtë nga të tjerët. Edhe në Dvorishtë kanë qenë  të vendosur në një kompleks të vetëm, për çka edhe janë karakterizuar nga të tjerët. Kanë qenë të vendosur në mes fshatit Dvorishtë dhe Sllatinë, por që i takojnë fshati Dvorishtë. Këtu, ku gjenden këta, ka qenë vendosur në fillim Man Pollata. Ndoshta aso kohe ishin në një shtëpi me Xhylakët e sotëm edhe Monollët. Më vonë Mani mori tokë edhe në Belloshë, por se ka jetuar atje, nuk kemi informacione.

Flitet se vëllai i Manit , me gjasë Aliu, e kishte nisur shtëpinë në Dvorishtë për ta ndërtuar. Edhe kroin e kishte rregulluar e pastruar në mes të gurit të Gjonit ku dilte uji,  te Baltaqet. Aliu e lë Dvorishtën dhe shkon  në Mavër  të Istogut. Kodra e Manit, që quhet në Dvorishtë, është thirrur në emër të Man Dvorishtës, që  më vonë u quajt Man Pollata, mbasi shkoi në Pollatë e u vendos atje, apo siç u njoh edhe me Man Mavriqi.[14]. Edhe Jahir Islami – Potoku  vërteton se Mavriqët e Saradranit të Pejës janë më të afërm me Man Pollatën, me Monollët.

Si shumë të tjerë, edhe Xhylakët e lëshuan Dvorishtën dhe u vendosën në fshatra të ndryshme të rrafshit të Llapit. Ata sot jetojnë në Bajçinë, në Surkish e fshatra tjera si dhe në Podujevë  Krahasuar me Monollët, janë shtuar shumë pak. Mbajnë mbiemrat Imeri, Selimi e Zymeri. Gjithsej janë 18 shtëpi, por  këta ende jetojnë në familje të gjerë me shumë anëtarë, sepse  ende janë më tepër se dhjetë banorë në një shtëpi, në dy familje jetojnë nga 24 anëtarë.

 

Në vitet e 1920-ta Sheqiri e Neziri kanë qenë shpërngulur në Turqi. Te Nezirit kanë qenë lajmëruar deri në vitin 1945,  pra deri pas Luftës së Dytë Botërore. Nga viti 1945 më nuk kanë komunikuar, pa ditur përse.

Trungu gjenealogjik i Xhylakëve të Dvorishtës

REVUÇËT E DVORISHTËS

 

Revuçët ishin shpërngulur në Turqi në vitet e njëzeta, sikur të gjithë shqiptarët e Kosovës, që aso kohe shpërnguleshin. Nga 15 anëtarë të familjes që kishin shkuar, prej sëmundjeve të ndryshme dhe klimës që nuk po u pëlqente, do të vdisnin. Kishin qenë vendosur diku rreth Bursës, në një vend moçalik, ku ishte përhapur sëmundja e malarjes. Shih për këtë, pas katër vjetësh qëndrimi atje, kishin marrë rrugën e kthimit në Kosovën e dashur e të shëndetshme. Kthehen  pas katër a pesë  vitesh qëndrimi, por nga 15 anëtarë të familjes, atje kishin mbetur të vdekur në varreza 8 anëtarë të kësaj familjeje. Kishin pasur fatin të ktheheshin vetëm 7 anëtarë të asaj familjeje.

Tani, edhe pse ishin kthyer, ata kishin mbetur pa tokë, sepse atë ua kishin rrëmbyer serbët. Detyrohen të bëjnë jetën e çipçiut, si shumë të tjerë aso kohe. Nuk kishin se ku të vendoseshin. Sa për fillim, për një vit kishin qëndruar tek Hyseni, i vëllai i Imerit. Shkojnë pastaj në Pakashticë ku qëndrojnë tri vite, pastaj shkojnë e vendosen në Dvorishtë, por në tokën e Sheqirit të Ajetit nga Pollata, i cili, aso kohe ishte në Shqipëri. Në Dvorishtë kishin jetuar deri më 1967. Më 1963 kishin blerë një vend në periferi të Podujevës në rrugën që të shpie për Dumnicë, tek Liqantë[15]. Fusha e Letancit quhej vendi, por ishte në territor të Dumnicës. Këtu i kishin ndërtuar shtëpitë dhe ishin vendosur tre vëllezërit e vegjël: Sheqiri, Zeka e Jahiri, ndërsa vëllai i madh, Sadiku, ishte vendosur sërish në Revuçë, ku e kishte blerë tokën.

Gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore Zeka, Sheqiri dhe Rexhepi ishin marrë nga brigadat partizane serbe. I kishin mbajtur rreth dy javë diku në Drenicë. Gjatë kësaj kohe, Zekën e kishin vrarë diku, nuk dihet kur, ku dhe për ç`arsye. Atij nuk i dihen as eshtrat se ku i ka, derisa Sheqiri dhe Rexhepi ishin kthyer në shtëpi. Një gjë dihet se, nga pushteti komunist serb, kjo familje ka qenë shikuar me sy jo të mirë dhe ka qenë e diskriminuar për shkak të vrasjes të Zekës, edhe pse edhe vetë familja nuk e dinte shkakun e vrasjes së tij.

                                                                                Trungu i  Revuçëve të Dvorishtëve

 

Tabela nr. 30. Regjistrimit i krejt banorëve të Dvorishtës[16]

 

 

Lagjja dhe vendbanimi i

sotëm

Shtëpi

 

 

 

M

 

 

F

Gjithsej Me fillore Të mesme Të lartë Fakultet Studentë Autodidakt Analfabetë    Fëmijë Jashtë vend it
M F GJ
Dvorishtë 22 79 76 155 83 13       1 25 33 13 3 16
Bajçinë 36 181 144 325 182 73 3 4 6 1 12 44 38 22 60
Podujevë 48 196 156 352 168 106 7 10 10 2 7 42 35 25 60
Dumnicë 18 41 38 79 36 29   1 1     12 23 22 45
Stanovc 4 12 9 21 12 4   1 1     3 1   1
Prishtinë 14 35 30 65 24 16 2 12 7     4 9 5 14
Fushë Kosovë 2 8 8 16 7 6 2       1   4 4 8
Letanc 5 15 22 37 13 13 1 1     3 6 2   2
Llaushë 16 59 55 114 49 34 3 2 4   5 17 13 14 27
Surkish 4 20 17 37 15 8         2 12 7 3 10
Sarajevë 3 4 8 12 1 8   3         1 3 4
Dumosh 1 3 5 8 4 4                  
Durrës 1 7 5 12 7 3     1     1      
Shkabaj 9 36 31 67 30 19 2 8 2   1 5 6 6 12
Gjithsej 182 693 603 1296 630 336 20 42 31 4 56 177 152 107 259

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

EMËRVENDET E FSHATIT  DVORISHTË

Lagja e Xhylakëve

Pikorientimi: Shtëpitë e lagjes

  • Baltaqe, VL. Vend me balt. Ndoshta pse është një vend i gjerë me baltë, quhet në shumës prej popullit Baltaqe e jo Baltak.
  • Guri (i) Gjonit,L. Guri.
  • Kodra e Manit, L. Mal, livadh e lëndinë, mere. Kodra e Manit niset që nga shtëpitë e lagjes së Xhylakëve dhe shkon deri në kufi me Sërbinë – me komunën  e Kushumlisë. Eshtë e ngritur mes lagjes së Xhylakëve dhe të Kosumëve dhe është bukur e lartë. Në të kaluarën, shihen gjurmët se ka qenë e lëvruar.
  • Korrizi  (i) dushqeve, L. Mal.
  • Kroni    (i) Alisë, L. Krua.
  • Kroni    (i) Baltaqeve, VL. Krua.
  • Kroni    (i) Etheve,  L, Thuhet se i shëron ethet.
  • Laku i Kodrës t’Manit. L. Lëndinë, mere.
  • Livadhi (i) Xhulit, V. Livadh. Xhuli ka qenë i pari i lagjes së Xhylakëve, thuhet se ishte nipi i Man Mavriqit – djali i të vëllait.
  • Lugu i Moçëm, L. Mal.
  • Lugu i Çarrit, L. Livadh.
  • Lugu i Smajl Bull’s, L. Mal e livadh . Emërtime vendesh të këtij personi hasim edhe në katundin Potok i cili është ngjitur me katundin Dvorishtë, por mes kësaj lagjeje dhe Potokut hyjnë

edhe dy lagje të Dvorishtësë Lagjja e Kosumëve dhe ajo e Balëve.

  • Lugu i Shkullarit, VL. Mal.
  • Ornica e Xhulit, V. Livadh.
  • Osoja e Baltaqeve, VL. Mal.
  • Osoja e Manit, L. Mal.
  • Podi (i) Vramush Nik’s, L. Ledinë, mere. S’dihet se kush ka qenë ai Vramush Nika. Prandaj, janë interesante toponimet e vendeve, në të cilat shihet lashtësia e pashpjegueshme, kur nuk kemi shënime për to.
  • Prroni (i) Lugut t’Qarrit, L. Mal.
  • Prroni (i) Manit, L. Mal. Në lagjen e Xhylakëve gjindet një numër toponimesh në emër të Manit, në emër të Man Mavriqit (Pollatës), sepse për një kohë këtu ka qenë i vendosur edhe vetë Mani, i cili është Xhaxha i Xhulit.
  • Roga e Ferizit, L. Ledinë. Kjo ëshët rogë e Feriz Xhylakut.
  • Roga me Fier, L. Lëndinë, e pasur me fier.
  • Roga e Ram’s, L. Livadh.
  • Rraëfshi (i) San’s t’Behramit, L. Lëndinë.
  • Sukullari (i) Sejdisë, VL. Mal.
  • Shpia e Alisë, Q. Truall. Kjo shtëpi është pikorientimi ynë në mbledhjen e toponomastikës.
  • Te guri, L. Livadh.
  • Te Kodra e Mjedisme, L. Mal.
  • Te Rogat, L. Mal.
  • Udha e Delisë, L. Rrugë. Shkon prej Prronit t’Manit e deri n’Kodër t’Manit dhe anasjelltas.
  • Udha e Prronit t’Manit, L. Rrugë. Kjo shkon Prronit t’Manit

 

Lagja e Kosumëve [17]

Pikorientimi: Shtëpitë e kësaj lagjeje

  • Ara e Ademit, L. Mere.
  • Ara e Ahmetit, P. Arë.
  • Ara e Bekoviqe, VP. Arë.
  • Ara e Bisakes, L. Mere, ledinë.
  • Ara e Hanit, VP. Arë. Këtu, në kohën e Turqisë, ka qenë një han dhe tani quhet në emër të Hanit.
  • Ara e Konakut, L. Mere.[18]
  • Ara mas Lame, P. Arë.
  • Ara e Mullinit, J. Quhen ato ara që janë afër mullirit.
  • Arat Nër Shpi, JL. Ara.
  • Ara e Re, L. Mere.
  • Ara e Stanit, L. Livadh.
  • Ara e Zeqirit, P. Arë.
  • Bashqja e Hajdarit, JL. Kopsht.
  • Bashqja Nër Jaz, J. Kopsht kumbullash.
  • Bregu i Çufrraj’s, L. Mere.
  • Dushkaja, L. Mal. Quhet Dushkajë vendi ku është pre dhe vendosur (vnuar) dushku për ushqim të kafshëve, i cili rezervohet për dimër.
  • Kodra e Gatë, L. Mal e lëndinë – mere.
  • Kodra e Tahirit, L. Livadh – Mere.
  • Koliba e Uk’s, VL. Kasolle. Këtu gjatë Luftës Antifashiste nacionalçlirimtare ka ndenjur një Ukë Mavriqi. Ka vdekur në vitin 1977. Për shkak se Mavriqi njihet më shumë nga katundet tjera. Uka, edhe pse është i katundit Dvorishtë, ai thirret në emër të Mavriqit e jo të Dvorishtës. Ukë Mavriqi ka qenë i lagjes së Baloviqe.
  • Kroni (i) Bot’s, L. Nuk dihet pse quhet kështu.
  • Kroni (i) Gllogut, V. Krua.
  • Kroni (i) Keq, JL. Është në kufi me katundin Potok.
  • Kroni (i) Maxhupit, J. Krua. S’dihet të ketë pasur këtu ndonjë Maxhup, në emër të të cilit e ka marr emrin kroni.
  • Kroni (i) Mollave t’Egra, VL. Krua.
  • Kroni (i) Tashefcit, L. Krua.
  • Lugu i Bunarit, JL. Mal.
  • Lugu i Fierit, JL. Mere.
  • Lugu i Gurr’s, L. Mal.
  • Lugu i Kronit, JL. Mal.
  • Lugu i Pel’s, L. Mal.
  • Lugu i Purrinit, L. Livadh. Ka qenë i mbjellë me purri.
  • Lugu i Thiut, JL. Mal. Ngase ka ndenjur thiu i egër në këtë luginë, tash edhe quhet Lugu i Thiut.
  • Lugu i Zymerit, VL. Livadh.
  • Livadhi (i) Hajdarit, L. Livadh.
  • Mes Ar’s, JL. Mere.
  • Mullini (i) Hajdinit t’Qazimit, JL. Mulli.
  • Mullini (i) Jasharoviqe, P. Mulli.
  • Mullini (i) Baloviqe, JL. Mulli. Mulliri nuk është në gjendje të rregullt por ende nuk është shkatërruar. Mullini i Baloviqe quhet nga të gjitha lagjet e Dvorishtës, icili i takon vetëm kësaj lagjeje.
  • Mullini (i) Kosumoviqe, JL. Mulli. Shihet se secila lagje ka mulli, ka raste që vetëm një shtëpi ka mullirin e vetë.
  • Mullini (i) Maliqit, VP.
  • Mullini (i) Ramë Demoshit, VP.[19]
  • Mullini (i) Xhulit, VP.
  • N’Breg, Tek o Vra Haliti, L. Mere – lëndinë.
  • Orrnicat, JL. Mal e lëndinë.
  • Prroni (i) Dvorisht’s, VL. Përrua. Është ky përroi, në të cilin janë të vendosura shtëpitë e lagjeve të Kosumollve dhe Baloviqe. Ky përrua është bukur i gjatë dhe i gjërë. Në të ka ara, livadhe, kopshtije, mere etj.
  • Prroni (i) Baloviqe, VL. Mal e livadh.
  • Prroni (i) Felixhe, L. Mal. Ndoshta nga i Thellë e i Gjerë (Gjanë) ka dhënë Fel (lë) + Gj (anë) = Felixhe, që shqiptohet me një Xh-ë të fortë.
  • Prroni (i) Hajdarit, P. Mal.
  • Prroni (i) Mehmet Dem’s, L. Nuk dihet përse quhet në këtë emër, por dihet se Mehmeti ka qenë i Demë Ahmetit, i cili u vra nga komitët në Reçicë dhe pasardhës të tij janë Shalovitë e Sllatinës. Për ndonjë tjetër Mehmet të Demës nuk dihet të ketë pasur.
  • Reka e Madhe, P. Lumë. Reka e Madhe quhet lumi që vjen nga Sllatina e që shkon për në Pollatë. Ky është lumi kryesor i Mavriqit, sepse ka edhe lumenj (prroj e përrocka) tjerë, për këtë arsye quhet REKA E MADHE.
  • Roga e Dredheve, L. Mere. S’dihet për çfarë dredhesh është fjala e as që dihet pse quhet kështu.
  • Rovinat, P. Vend i shembur. Është një vend ku është shembur dheu dhe i gërryer nga uji, prej të cilit janë bërë disa gropa. Ky vend është pranë Udhës së Madhe.
  • Rrafshi (i) Lkenit, L. Livadh. Banorët e kësaj ane lke e quajnë liqenin.
  • Rreze, V. Mal, mere. Shpatina e djathtë e derdhjes së Prronit të Dvorishtës, quhet Rreze.
  • Sieça e Salihit, L. Livadh.
  • Sokaku i Halitit, JP. Rrugicë.
  • Shpati (i) Mullinit, JL. Kullosë (çajr).
  • Te Ara e Sherifit, L. Arë.
  • Te Ara e Uk’s, J. Arë.
  • Tu Arat e Reja, V. Arë . Quhen të reja, sepse janë hapur vonë, të cilat kanë qenë mal deri vonë.
  • Te Dheu i Qerep(v)e, JL. Mal. Te Dheu  i Qerepe quhet vendi ku në të kaluarën kanë marrë dhe për mbarimin e qerepëve.
  • Te Guri (i) Kan’s , L. Livadh.
  • Te Gurtë e Damë, L. Gurinë.
  • Te Kroni  (i) Imerit,L .
  • Te Lama e Kosumit, VP. Lamë.
  • Te Lisat Binak, L. Mal me shkurre.
  • Te Livadhi (i) Halitit. J. Livadh.
  • Te Molla Bosne, J. Livadh.
  • Te Mollat e Egra, VL. Mal e livadh.
  • Te Mrizat, L. Lisa. Gjatë verës këtu mrizojnë delet. Lisat janë ahu dhe dardhe.
  • Tek o Pre Mirusha, VL. Kullosë, çajr. Quhet vendi ku e kanë pre lopën për ta ngrënë gjatë dimrit. Lopa quhej me emrin Mirushë.
  • Te pusi Mas Ar’s, JL. Lëndinë.
  • Te Çajri, J. Kullosë.
  • Te Reka, P. Kështu quhet një kompleks arash që gjinden pranë lumit që vjen nga Sllatina.
  • Udha e Ar’s t’Konakut, L. Rrugë.
  • Udha e Ar’s t’Stanit, L. Rrugicë.
  • Udha e Kronit t’Keq, JL. Rrugë.
  • Udha e Prronit t’Baloviqe, VL. Rrugë.
  • Udha e Prronit t’Livadhit t’Nezirit , L. Rrugë.
  • Udha e Arave, L. Rrugë. Kjo rrugë kalon përmjedis arave e çon deri tek arat e tjera më larg.
  • Udha e Madhe, P. Rrugë. Kështu quhet rruga kryesore, e cila shkon për në Sllatinë, por edhe që kalon edhe për Dvorishtë.
  • Udha te Lisat Binak, L. Rrugë.
  • Vorret Te Ara e Hanit, VP. Varreza. Këto janë varreza të vjetra. Thuajse nuk mbahet mend se kur janë varrosur aty kufomat. Sot nuk varrosen aty, për arsye se nuk ka më vend. Është mbushur e përreth tyre janë arat.

 

Lagja e Halilajve[20]

  • Ara e Ajetit, P. Livadh.
  • Ara e Bahtirit, P. Arë.
  • Ara e Gatë, P. Arë.
  • Ara e Kronit, P. Livadh.
  • Ara e Latifit, VP. Livadh.
  • Ara e Lim’s, JL. Arë. Quhet e Limës, sepse ajo e ka marrë pjesën e vet prej vëllezërve si bijë, e cila sërish ua ka lënë atyre, vëllezërve por emri i ka mbetur i saji.
  • Ara e Livadhit, V. Arë.
  • Ara e Muratit, P. Livadh.
  • Ara n’Prrue, VP. Livadh.
  • Ara e Tërrshan’s, V. Për herë të parë ka qenë mbjellë me tërrshërë, prandaj quhet Ara e Tërrshan’s.
  • Ara tu Shpija, JL. Arë. Kjo arë është ngjitur me trojet e Haliloviqe.
  • Ara e Sahitit, VP. Livadh.
  • Ara e Zeqirit, V. Arë.
  • Birat e Ukut, P. Shpella. Është vendi ku kanë ndenjur ujqërit. Këtu, ata i kanë bërë shpellat, të cilat quhen Bira.
  • Dardha e Beshirit, P. Pemë. Ai s’i ka bërë gjë tjetër pos që e ka krasitur dhe e ka fituar toponimin në emër të tij.
  • Dardha Polloshke , P. Pemë. Kështu quhet një lloj dardhash në mbarë Llapin. Ndryshe prej disa katundeve quhet edhe Krypimehçe. Ndoshta pse janë shpërnda se pari nga Krypimehi (Kërpimehi i sotëm) 12 km në veriperëndim të Podujevës.
  • Dushkaja, VP. Mal me shkurre.
  • Kërshi (i) Keq, P. Shkëmb.
  • Kodra e Halilit, P e VP. Lëndinë, mere – kullosë. Kjo kodër shkon prej Haliloviqe e deri në Kokorovicë.
  • Kroni (i) Bok’s, VP.
  • Kroni (i) Hasanit, VP.
  • Kroni (i) Ftoftë, P.
  • Kroni i Muratit, P. Quhet i Muratit, sepse ai e ka dëlirë rregullisht.
  • Lagja e Haliloviqe, Q. Kjo lagje është e vendosur në jugperëndim dhe në perëndim të katundit Dvorishtë. E ndiejnë se janë më të afërm me Lagjen e Alioviqe dhe të Jasharoviqë  se sa me lagjet tjera. Vendi ku është vendosur kjo lagje quhet Prroni (i) Asllanit. Territorialisht  Lagjja e Haliloviqe dhe e Alioviqe shkojnë së bashku. Pra, ne nën lagjen e Haliloviqe i kemi shënuar edhe emrat e Lagjës së Alioviqe.
  • Ledina e Prronit, P. Lëndinë.
  • Livadhet  n’Prrue, P. Livadhe
  • Livdhi te Reka, V. Livadh.
  • Lugu i Ar’s t’Sahitit, VP. Livadh.
  • Lugu i Birave  t’Ukut, P. Mal.
  • Lugu i Dardh’s, P. Mal.
  • Lugu i Gurëve, VP. Mal e lëndinë.
  • Lugu i Keq’s, P. Mal me shkurre e kaqa.
  • Lugu i Kronit t’Ftoftë, P. Mal.
  • Lugu i Lmezave, P. Mal. Quhet i Lmezave, sepse këtu kanë pre lmeza me të cilat janë mbuluar pojatat. Ky lug ka drunj të llojit të shkozës.
  • Lugu i Pusave, P. Mal.
  • Molla e Egër, P. Pemë, dru molle.
  • Molla Sheqerke, P. Dru molle.
  • Molla Vjeshtore, P. Dru molle. Quhet Vjeshtore, për arsye se piqet vonë, në vjeshtë.
  • Mrizi, P. Lis.
  • Mullini tu bashqja e Prronit, P. Mulli.
  • Ner Vadja, V. Arë. Quhet Ner Vadja, sepse ujitet, është nën vadë.
  • Prroni (i) Ar’s t’Ajetit, P. Përrua me mal.
  • Prroni (i) Asllanit, P. Mal, livadhe, e ara dhe lëndinë. Përroni i Asllanit është një përrua i gjatë dhe i thellë, në të dy anët e të cilit ngriten kodra të larta dhe numri më i madh i emrave të kësaj lagjeje gjinden në këtë përrua me anën e tij. Në fund të këtij përroi janë ngritur shtëpitë e Lagjes së Haliloviqe.
  • Prroni (i) Hajdarit, VP. Mal.
  • Prroni (i) Mehmetit, VP. Mal.
  • Pusat e dimnit,VP. Pusa, burim. E kanë ujin e nxehtë gjatë dimrit dhe këtu u japin ujë kafshëve gjat kësaj stine, nga se katundarët për kafshët e tyre gjatë dimrit e zgjedhin ujin më të ngrohtë. Dhe , për    këtë që u japin ujë gjatë dimrit kafshëve këtu, quhen PUSAT E DIMNIT.
  • Pusat e Hajdarit, V. Burime.
  • Pusi (i) Kërshit t’Keq, P. Burim.
  • Pusat e Kokorovic’s, P. Pus,burime,kroje.
  • Pusi (i) Ratkut, P. S’dihet se kush ka qenë ai Ratku. Në te kaluarën ka pasur serbë në disa katunde, të cilët  kanë qenë  si raje.
  • Roga e Brahimit, P.Ledinë.
  • Roga e Mehmetit,VP.Ledinë.
  • Rrafshi (i) Ar’s, P.Arë.
  • Rrezja e Halilit, P.Mal. Rrezja e Halilit quhet krejt Rrezja e Prronit t’Asllanit, apo e tërë ana e majtë e Prronit t’Asllanit.
  • Halili ka qenë i pari i kësaj lagjeje.
  • Shpia e Halilit, Q. Truall. Është në fund të Prronit t’Asllanit.
  • Shpati t’thuer, J. Mal.
  • Trolli (i) Arifit t’Brahimit, JL. Truall.
  • Trolli (i) Brahimit, JL. Truall. Tash gjinden vetëm gërmadhat, ndërsa Brahimi me familje është  shpërngulur në Bajçinë.
  • Te Rovinat e Rrahmanit, VP. Vendi i shembur e i gërryer Tash është mere. Quhet te Rovinat e Rrahmanit, sepse ai i pari ka marrë dhe në atë vend për të lyer shtëpinë.
  • Tuk Asht Vra Sherifi(i) Imerit, P. Përrua. Këtu ka qenë vrarë tradhtisht një Sherifi i Imerit.
  • Thana e Lugut t’Gurëve, P. Dru thane.
  • Udha e Alioviqe, P. Rrugë. Kjo rrugë shkon prej prronit t’Asllanit e deri tek shtëpitë e Lagjes së Alioviqe.
  • Udha e Ar’s t’Ajetit, P. Rrugë.
  • Udha e Birave t’Ukut, P. Rrugë.
  • Udha e Dhive, VP. Rrugicë. Përpara është quajtur Udha e Hazirit.
  • Udha e Haliloviqe, P. Rrugë. Kjo rrugë shkon prej Haliloviqe e deri në Kokorovicë dhe kalon nëpër Prrue t’Asllanit.
  • Udha e Lugut t’Gur’ve, VP. Rrugicë.
  • Udha e Lugut t’Lmezave,P. Rrugë.
  • Udha e Madhe, P. Rrugë. Nëpër këtë rrugë janë bajtur gurët për ndërtimin e Stacionit të Policisë së Pollatës, e cila qe ndërtuar në Kodrën e Stanicës, si e quajnë Pollatasit, si dhe mbarë Mavriqi këtë kodër.
  • Udha e Mollave, JP. Rrugë.
  • Udha e Rogave, VP. Rrugë.
  • Udha e Rrezes t’Lugut t’Gurëve, VP. Rrugë .
  • Udha e  Shpatit t’Thuer, J. Rrugë.
  • Udha  tu Shpia e Selmanit, JL. Është një urë mbi Prronin e Asllanit, mbi të cilën kalohet rruga Pollatë – Dvorishtë – Sllatinë.
  • Vorret e Zabelit t’Bahtirit, V. Quhen Vorret e Zabelit t’Bahtirit, sepse janë vendosur në Zabelin e tij.
  • Zabeli n’Prrue , P. Mal.
  • Zostoja e Bujakëve, VP. Derë, vendkalim. Zostoja e Bujakave është një derë prej pallzinash e vënë në të hyrë të Lagjes së Bujakëve.

 

[1]  Kralefci sot është një mikroregjion e fshatit Pakashticë. Këtu janë të vendosur Kastratët, dhe quhen: Kastratë të Kralefcit. Kufizohet ky lokalitet me Metehinë në jugperëndim.

[2] Marrë gojarisht nga Sadik Rrahimi, 98 vjeçar më 2005.

[3]  Dr. Fehmi Pushkolli, Llapi gjatë historisë… f.392

[4]   Dr. Jusuf Osmani, v. e cituar. Faqe 206.

[5]   Dr. Jusuf Osmani,  po aty.

[6]   Dr. Jusuf Osmani, v. e cituar, faqe 207.

9  Ne po i  quajmë Kosumë e jo Hasani, në emër të vëllait të Demë Ahmetit, mbasi edhe këta mbajnë mbiemrin Kosumi shumica prej tyre, sado që pasardhësit e birit të Kosumit, ata të Rrahimit, kanë marrë për mbiemër emrin e Rrahimit, Kosumi ishte i të gjithëve.

[7]  Gjatësia e pashit varet a madhësia e njeriut. Sa më i madh të jetë njeriu aq më i gjatë është pashi. Megjithatë, mund të merret një njeri mesatar, pra prej 1,70 deri 1,80 m. Pashi është aq sa njeriu ka gjatësinëme rastin e hapjes drejt të duarve. Me pash janë matur sanët e ushqimi tjetër i vnuar me rastin e shitblerjes për të konstatra përafërsisht sasinë se sa mund të kishte një sanë

[8]  Gani Mehmeti: Toponomastika dhe mikrotoponimia e Mavriqit të Llapit”, punim diplome, Fakulteti Filozofik (Filologjik), dorëshkrim,Prishtinë, 1981

[9]  Dr. Fehmi Pushkolli: “Llapi gjatë historisë”, faqe 392.

[10] Kënga e Hasimes. Hasimes ia kishin vrarë dy vëllezërit. Ajo kishte qitur fjalë se do ta merrte për burrë atë që do t`ia merrte hakun për vëllezërit. Martohet, por ai nuk po i merrte gjakun. Kalojnë  tri vjet dhe po e mbante vjerrur. Një ditë bashkëshorti kishte vendosur t`ia falte. Hasimja veshton te dera kur ia çon bukën. Merr vesh se për çfarë është puna dhe e kthen bukën në shtëpi, pa e futur në odë. Vendos ta marrë hakun vetë. Bashkëshorti e heton dhe  i del para, duke u dhënë shenj qe të ikin nga oda “mysafirët”. Një ditë Hasimja vishet ne rroba burrash dhe shkon e dhe e merr hakun, duke  vrarë hasmin në tallë që ishte duke vnuar. Në burg, takohet me Bell Mavriqin, i cili ishte djalë i pashëm, i bukur. Dhe, Hasimja thotë në vend, se nëse arrin të dalë nga burgu, Bell  Mavriqin kam me e marrë për burrë.

[11] Trungjet i kam vendosur me qëllim të njohjes më mirë të popullatës, por edhe ndihmës së të tjerëve që duan të merren me shkrimin e Monografive të ndonjë vendi a fshati. Nuk i kam paraqitur në punimet tjera sepse shkonte tepër gjatë. Janë në Monografi, madje edhe të bashkuara sipas lagjeve.

 

[12]  Siupas Sejdi Zymerit, tani në Bajçinë.

[13]  Sipas Imer Selimit. 1941,  bujk. Dhënë autorit më 8.XI.2005, në Podujevë.

[14]  Po ai,  13.XII.2007, Bajçinë.

[15]  Liqantë e Dumnicës kanë qenë vendosur në lindje të fshatit. Këta kanë qenë serbë të ardhur nga Lika e Kroacisë në vitet e kolonizimit të Kosovës me serbë. Pa nga viti 1918 e deri më 1939. Ashtu sikur deshën ta bëjnë kolonizimin me serbë në kohën e Millosheviqin e kanë bërë gjatë viteve 1918 – 1939.

[16] Punimi është maerrë nga Gani Mehmeti: MAVRIQI I LLAPIT I, Monografi, Podujevë, 2010.

[17] Lagjja e Kosumëve rrjedh e tëra prej të vëllait të Dem  Ahmetit- prej Hasan Ahmetit. Të kësaj lagjeje sot gjithsejt janë 17 familje, prej të cilave 8 familje janë shpërngulur. Me shtëpi banimi në grumbullin e kësaj lagjeje është edhe lagjja e Baloviqe, por kjo e para njihet më tepër jashtë. Në vitin 1979.

[18] Gati të gjitha vendet ku janë mere, vendi në të shumtën është ledinë, ku kullosin bagëtia.

[19] Dihet se deri vonë dy familje të lagjes së Demoshëve ishin në Dvorishtë, por ato, rreth vitit 1970 u shpërngulën. Nuk dihet pse quheshin Demosh.

[20]  Pikorientimi i lagjeve nis nga vetë grumbulli i shtëpive te asaj lagjeje, për të cilën  kemi dhënë toponiminë, nëse nuk  është shkruar ndryshe.