Beogradi nuk do të lejojë që jeta e popullit serb në Kosovë e Metohi të përkeqësohet në çfarëdo mënyre, ka deklaruar Marko Gjuriq, shefi i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe.

Ai ka shtuar se Beogradi nuk do të lejojë që populli serb, duke u lënë pa bukë, të detyrohet në eksod, që, sipas tij, është edhe qëllimi i padyshimtë i Prishtinës.

Në një deklaratë për të përditshmen serbe “Blic”, Gjuriqi ka thënë se serbët në Kosovë, veçanërisht ata në pjesën veriore, “u detyruan që për shkak të bllokadës tregtare nga Prishtina, të gjenden dhe të krijojnë kanale alternative të furnizimit me produkte ushqimore bazë nga Serbia”.

“Prishtinës nuk i mjaftoi shkaktimi i humbjeve për ekonominë tonë, por me aksione agresive policore zgjodhi të ndalë ato rrugë alternative të furnizimit dhe me këto veprime tekstualisht të rrezikojë ekzistencën e popullit tonë. Ju kujtoj se në kamionët me ushqim dhe me produkte tjera ushqimore është shtënë me armë”, deklaroi ai, transmeton Koha.net.

I pyetur se çfarë masash do të ndërmarrë Serbia ndaj Kosovës dhe se a e mbështet këtë ide, Gjuriqi tha se vendimi i Serbisë është që të jetë maksimalisht e përmbajtur e motivuar nga nevoja që në arenën ndërkombëtare Beogradi zyrtar të veprojë si një palë e përgjegjshme.

Ai thotë se qytetarët serbë në Kosovë presin masa të njëjta nga ana e Serbisë dhe thotë se një gjë e tillë është e mundshme të bëhet, mirëpo shton se “një qeveri e përgjegjshme ndërmerr veprimet e veta me kujdes dhe mendon disa hapa përpara”.