Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në zyrat e LDK-së deputeten e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje.

Sipas njoftimit të LDK-së, Abdixhiku dhe Balje kanë diskutuar për situatën politike në vend, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe SDU-së.

“Gjatë këtij takimi, kryetari Abdixhiku vlerësoi lartë kontributin e komunitetit boshnjak në proceset shtetndërtuese të Kosovës, ku shtoi se duhet të vazhdojmë të punojmë fuqishëm për përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët e Kosovës pa përjashtim”, thuhet në njoftim.

Një takim i tillë Abdixhiku-Balje vjen pas disa fërkimeve që deputetja boshnjake ka pasur me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti.

Balje ka pasur disa reagime për punën e shamisë, ka paralajmëruar se nuk do të përkrahë projektkodin civil për martesat e gjinisë së njejtë dhe në disa raste ka shfaqur mospajtime me deputetë të VV-së meqë siç ka treguar Balje kanë tentuar t’ia imponojnë qëndrimet.

Rasti i fundit ka qenë me deputetin Armend Mehaj në Komisionin për Energjinë.