Janë në koalicion, por duket se Lëvizja Vetëvendosje dhe Duda Balje s’janë edhe partnerë të mirë. Partia në pushtet po e do deputeten boshnjake jashtë Komisionit Hetimor për Energjinë 2006-2022, si ashtu edhe serbin Ljubinko Karaxhiq.

Këtë kërkesë e bënë të mërkurën, teksa e mbështetën në mungesat e të dyve që i quajnë të paarsyeshme.

Karaxhiq mungoi edhe këtë të mërkurë, por jo edhe Balje që tha se kjo kërkesë ka motive politike, pasi të gjitha mungesat i ka me arsye. Sipas saj, ajo nuk po voton sikurse po dëshiron VV, prandaj ka ardhur kjo kërkesë.

Opozita e mbështeti Baljen, ndërsa kryesuesi i komisionit, Hajdar Beqa, tha se ka qenë në dijeni për mungesat e saj.

Argumentimet “pro et kontra” shkaktuan përplasje mes dy krahëve, saqë debati kaloi edhe në personale.

Pushtetarët u kapën edhe me anëtarët e LDK-së vendosën ta bojkotojnë komisionin deri të fillojnë intervistimet. Mbledhjen e lëshoi më pas edhe vetë Balje.

Pavarësisht përplasjeve, propozimi për largim u shty për votim pasi të përpilohet raporti me arsyetimet e mungesave.

Por këtu u votua që të fillohet me intervistime të mërkurën e ardhshme. Të ftuarit e parë do të jenë udhëheqësit e KEK-ut në vitin 2006.