Shpallja në interes publik pronën private në pjesën ku është duke u ndërtuar rruga buzë lumit Llap, e që po e kundërshtojnë banorët, ka qenë temë e ashpër dhe e gjatë në seancën e Kuvendin Komunal të Podujevës, raporton Llapi.info
Kjo rrugë me shumicë votash të pozitës u miratua në këtë seancë, pasi që në të kaluarën të gjithë këshilltarët komunalë ishin pajtuar që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhej, për t’i lënë hapësirë arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet banorëve dhe ekzekutivit të kësaj komune.
Lexo edhe: Banorët ndalin punimet e rrugës së re në Podujevë, shkak shpronësimet
Drejtori i Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit në Podujevë, Hamdi Jaha, duke kërkuar që kjo rrugë të shpallet në interes publik, ka thënë se ajo pjesë e qytetit ka mbetur në ferr.
“Nuk ka të keqe që ky propozim të miratohet, se është në interes edhe të atyre njerëzve që duhet t’i zhbllokojmë të cilët kanë qenë në qytet, në ferr nuk kanë qenë në qytet”, ka thënë Jaha pasi këshilltarët iu drejtuan se ajo rrugë nuk ka plan urbanistik.
“Bajrami e ka objektin pa leje, dhe ende e ka. Nuk ka aplikuar për leje”, tha Jaha e që ngriti tensione duke kaluar debati edhe në akuza personale.
Ndërsa, në një replikë këshilltari nga radhët e LVV, Bajram Ajeti tha se ligji në këtë rrugë është shkelur. Sipas tij, ndërtimi i asaj rrugë për qytetarët është mashtrim.
“Ata njerëz që nuk kanë përgjegjësi morale për punët që duhet t’i kryejnë. Ata njerëz që kanë marrë përgjegjësi për qytetarët e në çfarë gjendje bien, sarihet e bëhet si dylli duke i lëvizur emocionet. Këta njerëz pas 6 muajve paskan me dalë në selamet pas ferrit. Që 20 vjet qa ka ndryshime në Llap? Asfalt, mbulo shpalo. Ju e keni sjell këtu që më nuk do ta keni besimin e popullit. Mos u përpiqeni që me i mashtru edhe këta qytetarë se gjoja kanë qenë në ferr e na me u qesh në selamet. E dinë ata se janë qytetarë të vjetër [Blakçorët]”, tha Ajeti në foltore.
Më tej, Ajeti ka akuzuar drejtorin e Drejtorisë së Urbanizmit, Hamdi Jaha se ka uzurpuar 26 hektarë tokë.
“Çështja sa i përket pronave, ti je uzurpator i 26 hektarëve në kufi me çka i bini ju me serbët. 26 hektarë i ke marr a i ke marr bashkë me Agim Veliu a jo është çështje tjetër. Një ditë do të vije edhe prejardhja e pasurisë. Unë kamë shtëpinë që e kam blerë me djersë dhe e di që jam në rregull. Ju, ju keni dhënë fjalë biznesmenëve dhe jo qytetarëve atje. Nuk keni lidhje me qytetarë ju keni lidhje me 3 biznesmenë që ju keni dhënë fjalë. “Na i jepni votat, votoni për neve se kemi me u bërë aty me jav marrë qytetarëve pronën me ndërtu komplekse të mëdha”. Asnjë qytetarë nuk është kundër ligjit, por për zbatim, andaj edhe ne jemi për ligjin. Shëtisni andej këndej për të bërë pasuri në shpinë të qytetarëve dhe jo në interes të tyre”, ka thënë Ajeti.
Se që nuk duhet të votohet pas shqetësimit të banorëve e ka thënë edhe shefi i këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica.
“Ku mbet ai kryetar dhe ai drejtor që kurrë nuk u merr me procedurat e shpronësimit. Nuk ka ligj në botë që deri të vjen puna me shtru asfaltin me shku atu qysh me e shpronësu. Kjo punë që ka fillu është jashtëligjore. Ti the ka mbet në ferr, më së pakti e ndjej përgjegjës vetën për atë punë si u mbet Podujeva në ferr. PDK është kundër këtij propozimi”, tha ai.
Kujtojmë, shpallja në interes publik të pronës pritave është miratuar me shumicë votash të pozitës, edhe pse opozita dhe banorët e asaj e kanë kundërshtuar fuqishëm./Llapi.info